E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Pentagonit: Mbi 150 civilë të vrarë nga sulmet amerikane në Jemen –

Sulmet ajrore amerikane ndaj rebelëve huthi në Jemen vitin e kaluar shkaktuan vdekjet e mbi 150 civilëve, thotë një raport i Pentagonit i publikuar të enjten.

Dokumenti, që iu dërgua Kongresit në kuadër të raportimit vjetor mbi viktimat civile, fokusohet në tre sulme ajrore të kryera në prill të 2025-s si përgjigje ndaj sulmeve të rebelëve pro-iranianë ndaj anijeve tregtare në detin e Kuq.

Sulmet amerikane goditën forcat armike në afërsi të kryeqytetit Sana, si dhe në portin Ras Isa, duke vrarë në total 153 civilë dhe duke plagosur 243 të tjerë.

Më fatali ishte sulmi ndaj portit, që shkaktoi 80 të vdekur dhe mbi 170 të plagosur. Asokohe, rebelët huthi publikuan pamje grafike të pas sulmit në kanalin e tyre satelitor Al Masirah, duke treguar viktimat.

Komanda Qendrore Amerikane, që mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, deklaroi atëherë se sulmi nuk kishte si qëllim lëndimin e popullit të Jemenit.

“Forcat amerikane e ndërmorën aksionin me qëllim eliminimin e burimit të karburanteve për rebelët pro-iranianë dhe për t’u mohuar atyre të ardhurat e paligjshme që kanë financuar përpjekjet e huthëve për të terrorizuar të gjithë rajonin për një dekadë”, deklaroi CENTCOM.

Komanda arriti gjithashtu në përfundimin se sulmet me shumë gjasë kishin rezultuar në dëmtimin e civilëve, thotë raporti i Pentagonit, i bazuar në burime të inteligjencës, pamje filmike dhe burime të tjera informative.

Në radhët e ligjvënësve dhe shoqatave për të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara është rritur shqetësimi për vrasjen e civilëve në operacionet ushtarake të administratës Trump, sidomos pasi një raketë amerikane goditi një shkollë në qytetin e Minabit, në ditët e para të luftës me Iranin, duke vrarë 168 persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›