E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i TIA-s: Partinë politike fshehin financat

tiaTransparency International ka publikuar raportin mbi Pushtetin e Partive Politike në Shqipëri nën ndikimin e Parasë. Në raport thuhet se partitë politike në Shqipëri i fshehin  financat e tyre si tek anëtarësia edhe tek publiku i gjerë. Sipas TIA-s, Shqipëria ka një kuadër të mirë ligjor për financimin e partive,por zbatim të dobët në praktike, çka e vlerëson vendin tonë me 5.9 pikë nga 10 maksimalet. Në këto kushte, TIA kërkon ndërhyrje në ligjin për partitë politike për të rregulluar publikimin e të ardhurave nga vetë partitë. Me gjithë parashikimet kushtetuese e ligjore, partitë politike në Shqipëri nuk informojnë anëtarët e partisë, votuesit dhe publikun e gjerë mbi financat vjetore çka konsiderohet si treguesi kryesor i papërgjegjshmërisë dhe mungesës së transparencës, thuhet në raport. Në studimin e kryer, TIA i është referuar raporteve financiare të dorëzuar në KQZ gjatë 2012 sipas së cilës PS, PBDNJ, LSI kishin dorëzuar për periudhën vjetore, ndërsa PD-ja vetëm për periudhën e fushatës. Duke i kujtuar se është organi përgjegjës për mbikëqyrjen e financimit të partive, e TIA i ka bërë apel KQZ-së të garantojë raporte të plota mbi të ardhurat dhe shpenzimet e subjekteve politike. Sipas Transparency International, KQZ duhet të demonstrojë pavarësinë e duhur institucionale për ndëshkimin me çdo kusht të financimit të paligjshëm të partive dhe zbatimin efektiv në praktikë të dispozitave ligjore në fuqie detyrimeve që lindin nga Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit. Si rezultat i rritjes së sofistikimit dhe kostove të aktiviteteve të partive politike, këto të fundit janë lehtësisht të ndikueshme nga ofertat për financim në këmbim të favoreve në të ardhmen. Kjo blerje e influencës dhe pushtetit përmes dhurimeve politike minon parimet bazë të një demokracie përfaqësuese, thuhet më tej në raportin e TIA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›