E Enjte, 5 Nëntor 2026

Raporti i plotë i SPAK për vitin 2023

TIRANË, 22 maj/ATSH/- Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve për punën vjetore gjatë 2023 të Prokurorisë së Posaçme.

Dumani bëri me dije se kanë nisur punën për një strategji që lidhet me hetimin e krimeve zgjedhore.

“Sa i takon asaj që Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë në raport me ndërtimin e një strategjie për hetimin e krimeve zgjedhore që mund të ndeshen gjatë vitit të ardhshëm, unë bashkë me stafin tim kemi filluar përgatitjet dhe në muajin Janar do të bëjmë prezente dhe publike strategjinë që ne do të ndërtojmë për hetimin e veprave penale që kanë të bëjnë me zgjedhjet e vitit 2025”, deklaroi Dumani.

Kreu i SPAK tha se “për krimet zgjedhore të hetuara, gjatë vitit 2023 ka numër në rritje”.

Dumani tha se në Raportin Vjetor kanë paraqitur disa shqetësime për të cilat ai shprehu besimin se do të gjejnë mbështetje dhe zgjidhje ligjore nga Kuvendi

“Mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre; Mungesa e këshilltarëve ligjorë; Adresimi i ngarkesës së shtuar, ndaj drejtuesit të SPAK për çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencave të komisionerit publik; Mungesa e referimeve nga institucionet publike; Shtimi i numrit të Byrosë Kombëtare të Hetimit; Numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura; Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë për veprat penale, për të cilat SPAK ka në kompetencë si dhe mungesa e kompetencave lëndore të Gjykatës së Posaçme për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit penale për subjektet e posaçme”, ka renditur Dumani.

RAPORTI VJETOR 2023 SPAK

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›