Raporti për lehtësitë e biznesit, Shqipëria zbret 2 vende më poshtë
Në pamje të parë duket se Shqipëria i ka bërë mirë detyrat për përmirësimin e klimës së biznesit, por vende të tjera kanë punuar më shumë. Kjo logjikë mund të shpjegojë atë që reflekton raporti Doing Bussines 2013, ku vendi ynë renditet i 85-ti, ndërkohë që një vit më parë ishte i 82-i. Në vend të parë në botë renditet Singapori, kurse për rajonin e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku bën pjesë dhe vendi ynë, renditet Polonia, e cila ka ndërmarrë një sërë reformash për përmirësimin e klimës së biznesit që lidhen me regjistrimin e pronës, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e falimentit. Shqipëria të cilën raporti e rendit në vendin e 85-të, duket se ka punuar mirë në pjesën e lehtësimit të noterizimit dhe dokumenteve të regjistrimit fillestar të një biznesi. Nga ana tjetër, sipas raportit është bërë më e lehtë pagesa e taksave për kompanitë, duke hequr taksën e makinave dhe duke nxitur deklarimin elektronik. Por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për të ruajtur minimalisht vendin që kishim. Ngërç duket se vijon të mbetet regjistrimi i pronave, i cili na rendit të 121-in si tregues. Kjo është edhe një nga pikat që Banka Botërore i ka mëshuar më shumë, zgjidhjes së problemit të pronave. Një tjetër tregues që na rendit negativisht është ai i lejeve të ndërtimit, ku Shqipëria është e 185-ta.