E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raporti për sigurinë në internet – Raportime online edhe nga fëmijë nën 6 vjeç, shtohen rastet e bullizmit dhe kërcënimeve

Raporti nga iSIGURT.al, bazuar në analizën e të dhënave përgjatë periudhës Janar–Dhjetor 2024, tregon gjithsej 407 incidente serioze, duke shënuar një rritje prej thuajse 67 për qind krahasuar me një vit më parë.

Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Altin Hazizaj, thotë se për herë të parë ka pasur raportime online nga fëmijë të moshës nën 6 vjeç.

“ …raporti është i mbështetur nga BE, dhe e dyta është një trend i ri i cili nuk na pëlqen. Jemi duke e analizuar, por shifrat janë ende të vogla. Kemi një trend të fëmijëve nën moshën 6 vjeç që tashmë po ankohen dhe po raportojnë incidente. E kupton që ka diçka të gabuar që ndodh në telefon dhe që raportojnë nëpërmjet prindërve apo një kujdestari. Lloji i incidentit ka qenë përkatësisht me lojëra të pa përshtatshme për fëmijët dhe rasti tjetër, ngacmim nga të rriturit ndaj fëmijëve. Pa diskutim shikojmë që të gjitha ngjarjet që ndesh online, stresi, vuajtja, trauma e tyre është shumë herë më e madhe. Një pjesë ka të bëjë me mungesën e njohurive, pra të mos dish se me çfarë rreziqesh përballesh online ose marrëdhëniet e prishura ndërmjet vetë fëmijëve, adoleshentëve, marrëdhëniet e dashurisë së hershme që mund të kthehen toksike“, nënvizon Hazizaj.

Sipas gjetjeve të publikuara, incidentet më të shpeshta të raportuara kanë të bëjnë me kërcënimet, përndjekjen dhe shantazhin online.

“Shohim që kur fillon ndryshon mosha, përgjithësisht shikojmë që mbizotëron ajo urrejtja online, shikojmë video, mesazhe, foto nga më të ndryshme që përgjithësisht kanë natyrë seksuale, pra kërkojnë që ta ekspozojnë viktimën për qëllime seksuale, ose kanë natyrën që po kërkojnë të shkatërrojnë dikë.

Merren foto të vajzave, gjithmonë nga djemtë dhe thonë që kjo zonja, duke u drejtuar me emrin e vërtet, pra jo imagjinar ofron shërbime seksuale për kaq apo aq. Domethënë kemi një denigrim online në profile specifike për një 20 apo 30 gra që mbase autorin që e bën ka pasur qëllimi seksuale, nuk ka arritur asgjë dhe pastaj merr foton dhe abuzon me imazhin e tyre”, tha eksperti.

Grupmosha që ndesh dhe raporton më shpesh incidente në hapësirën digjitale është ajo 15–18 vjeç. Qarku i Tiranës mban peshën kryesore të raportimeve me 48 për qind të rasteve, ndjekur nga Durrësi dhe Kukësi, ndërsa muaji mars nga analiza e të gjetjeve dallon me numrin më të lartë të incidenteve të raportuara, me 71 raste gjithsej.

Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat por edhe raportueset kryesore të incidenteve online. Ky është raporti i gjashtë kombëtar që iSIGURT.al publikon që prej vitit 2015, ndërsa vijon kërkesa si dhe tentativë për përmirësimin e ligjit.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›