E Martë, 3 Nëntor 2026

Raporti vjetor i BSH, Sejko: Ekonomia shqiptare mbetet me nivel të lartë informaliteti

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko ka deklaruar se ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet një ekonomi me nivel relativisht të lartë informaliteti, por po merren vazhdimisht masa për reduktimin e tij.

Deklaratën e tij zoti Sejko e të martën para komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ndërsa po paraqiste Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë.  “Ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet një ekonomi me nivel realitivisht të lartë informaliteti. Ky fenomen ka pasojat e tij në shumë tregues ekonomik, përfshirë edhe kursin e këmbimit” tha zoti Sejko.

Ai tha se “BSH ka marrë vazhdimisht masa për reduktimin e informalitetit, nëpërmjet përmirësimit të sistemit të pagesave, nëpërmjet prezantimit të kërkesa rregullatore që mundësojnë dhënien e kredive vetëm kundrejt bilanceve të certifikuara fiskale bizneseve, si dhe nëpërmjet zbatimit të të gjithë ndryshimeve të nevojshme mbikëqyrësese rregullatorë të cilat janë në fushën tonë të kompetencave në kuadrin të planit të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit”.

Megjithatë guvernatori Gent Sejko theksoi se “ekonomia shqiptare ka shfaqur një shkallë të admirueshme rezistence përballë sfidave madhore të viteve të fundit dhe pati një nga normat më të larta të rritjes ekonomike dhe normën më të ulët të inflacionit ndër vendet e rajonit”.

Duke iu referuar statistikave zyrtare, Sejko bëri të ditur se, “ekonomia u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, punësimi u rrit me 2.2%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7% në fund të vitit. Niveli mesatar i pagave në sektorin privat u rrit 13% ndërsa inflacioni shënoi një rënie graduale, nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024”.

Ndërkaq Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë gjatë viteve të ardhshme, e mbështetur nga rritja e konsumit, e investimeve, eksporteve, punësimit dhe pagave, si dhe stabilizim të inflacionit pranë objektivit prej 3 %.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›