E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rasti i 14-vjeçarit me meningjit, ISHP: Mjekim sipas protokollit në terapi intensive

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Instituti i Shëndetit Publik njofton se infeksioni Neisseria meningitis është një sëmundje infektive që transmetohet në mënyrë të shpejtë me kontaktin e ngushtë dhe të zgjatur dhe mund të paraqitet edhe me forma fulminante.

Sipas ISHP-së, infeksioni i meningokokut mund të shfaqet në çdo moshë, por ka dhe grup-mosha me afinitet më të lartë.

ISHP thekson se, rasti i 14-vjeçarit është ndjekur në mënyrë të shpejtë nga Urgjenca e Spitalit të Durrësit duke kryer ekzaminimet neurologjike për shkak të gjendjes së stuporit e klinikës se rëndë si dhe duke vlerësuar këtë situatë rasti me suspekt Meningo-Encefalit (prekje të cipave të trurit) transferohet në QSUT “Nënë Tereza”.

Sipas ISHP-së, infeksioni nga Neisseria meningitis është një një infeksion që raportohet si rrjedhojë e zbatimit të ligjit “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” dhe të dhënat janë të deklaruara në sistemin elektronik dhe si i tillë nuk është fshehur, por përkundrazi është raportuar dhe janë ndjekur rekomandimet për masat e profilaksisë për familjarët, personelin shëndetësor në Durrës 19 persona, personeli shëndetësor në QSUT si dhe kontaktet e ngushta në klasën e rastit, ku kanë marrë profilaksinë me antibiotikë 24 nxënës dhe 6 mësues, duke ndjekur dhe respektuar Udhëzuesin specifik si për çdo rast tjetër të dyshuar apo të konfirmuar me Neisseria meningitis.

ISHP thekson se nuk ka asnjë neglizhencë në ndjekjen klinike, epidemiologjike, por janë ndjekur hapat në mënyrë rigoroze për zbatimin e Udhëzuesit për ndjekjen e profilaksisë dhe të hetimit epidemiologjik.

“Pacienti po merr mjekim sipas protokollit në terapi intensive, për sëmundjen me të cilën është diagnostikuar. Gjendja e tij po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekipi mjekësor”, thekson ISHP-ja.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›