E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, ISHP zbarkon në Korçë, merren kampione gjaku nga banorët

Pas konfirmimit të rastit të parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik në qarkun e Korçës.

Një ekip specialistësh të ISHP-së nga Tirana ka marrë kampione gjaku nga banorë të Lagjes 7 në Korçë, ku banon 72-vjeçari i prekur.

Pas marrjes së kampioneve, mjekët dhe specialistët e ISHP-së janë larguar nga Korça, duke marrë me vete kampionet, të cilat do të analizohen në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë.

Analizat laboratorike synojnë evidentimin e rasteve të mundshme të tjera të infektimit. Ndërkohë, specialistët kanë kryer hetimin entomologjik dhe depistimin në vatër, me qëllim identifikimin e pranisë së mushkonjave që transmetojnë virusin e Nilit Perëndimor dhe përcaktimin e masave të nevojshme të kontrollit.

Burime nga Spitali Rajonal i Korçës bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e 72-vjeçarit është e stabilizuar. Pacienti prej dy ditësh nuk ndodhet më në intubim, por vijon të paraqitet shumë i lodhur. Mjekët që po ndjekin rastin bëjnë me dije se ai ka nevojë për trajtim të specializuar.

Deri tani nuk ka nisur ndërhyrja për dezinfektimin apo trajtimin e zonave të dyshuara për praninë e mushkonjave.

Burime pranë Njësisë Vendore të Shëndetësisë bëjnë me dije se Korça nuk ishte përfshirë në hartën e dezinfektimeve verore të planifikuara nga ISHP-ja. Megjithatë, kjo nuk përjashton mundësinë e një ndërhyrjeje nga Bashkia e Korçës, nëse ajo do të vlerësohet e nevojshme pas përfundimit të hetimeve në terren.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›