Rau: Ukraina sovrane çelësi i paqes në Evropë

Sovraniteti dhe integriteti i Ukrainës janë baza për paqen në Evropë, deklaroi ministri i Jashtëm polak, Zbigniew Rau.
Duke folur gjatë një vizite në Ukrainë, Zbigniew Rau u përpoq të qetësonte fqinjën lindore të Polonisë.
Rusia ka grumbulluar forcat e saj në kufirin me Ukrainën, duke ndezur spekulime se Moska mund të nisë një pushtim në fillim të vitit të ardhshëm.
Rau u takua me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov si dhe kryeministrin, Denys Shmyhal dhe presidentin e Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.
Pas takimeve, ai u tha gazetarëve se bisedimet u fokusuan kryesisht në gjeopolitikën dhe sigurinë e Ukrainës, Evropës dhe vendeve të NATO-s në tërësi.
“Ukrainasit e dinë shumë mirë se mund të mbështeten tek Polonia”, theksoi Rau.
”Politika e Polonisë është e pandryshuar, ne e njohim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si bazën e paqes dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Evropë dhe mbështesim fuqimisht të drejtën e secilit vend evropian për të zgjedhur aleancat e tij politike dhe mbrojtëse”, shtoi ai.
I pyetur nga gazetarët për të vlerësuar shkallën e kërcënimit të paraqitur nga Rusia, Rau tha se “situata është serioze”.