E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reagimi i Beogradit për marrëveshjen Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Vengu: Serbia e ka humbur shansin për t’u konsultuar! Politika e karriges boshe…

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në një dalje televizive ka folur për marrëveshjen Kosovë-Shqipëri-Kroaci në fushën e sigurisë. Vengu tha se nuk është një aleancë kundër dikujt tjetër në rajon, por është bërë për të rritur nivelet e mbrojtjes.

Sa i përket reagimit të Serbisë ndaj kësaj marrëveshje, ministri Vengu tha se Serbia e ka humbur shancin për t’u konsultuar që nga momenti që nuk merr pjesë në takime. Ministri deklaroi se nëse Serbia do të konsultohet, duhet të ulet në tryezën e dialogut.

“Nuk është një marrëveshje që parashikon një qasje agresive ndaj dikujt tjetër në rajon. Ne nuk e shohim veten si aleancë kundër dikujt, por është për të rritur nivelet e mbrojtjes.

Serbia e ka humbur shancin për t’u konsultuar nga momenti që zbaton politikën e karriges boshe në takimet rajonale. Nuk ka pse konsultohet kur bëhet një marrëveshje e përbashkët. Kosova njihet nga Kroacia. Serbia nëse do të konsultohet të vijë të ulet në tryezë”, tha ministri.

Ministri i Mbrojtjes foli dhe për cenimin e sigurisë së Kosovës dhe tha se nga sturkturat aleate janë evidentuar raste se në kufi ka pasur përpjekje për destabilizimin e sigurisë.

Vengu deklaroi se qeveria e Kosovës duhet të rakordojë veprimet me KFOR, veçanërisht në zonat kufitare.

“Vlerësimi i strukturave aleate është që në zonën kufitare janë bërë përpjekje që të cënohet rendi dhe stabiliteti. Kërcënimet mund të jenë dhe të natyrave hibride. Kemi kërkuar që qeveria e Kosovës të rakordojë veprimet me KFOR sidomos në zonat kufitare, për çdo veprimtari që ndodh”, u shpreh Vengu.
Ministri ka shtuar se edhe Bullgaria ka shfaqur interes për një marrëveshje të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›