Reagon Kryeministri Rama pas pretencës së Prokurorisë së Hagës për ish-krerët e UÇK-së

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas shpalljes së pretencës së Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, e cila kërkoi një dënim total prej 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në reagimin e tij, Rama u shpreh se ende nuk gjen “fillin logjik” të arsyetimit të Prokurorisë për të dalë me një kërkesë kaq të rëndë.
“Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosjen për së gjalli të katër burrave”, shkruan kryeministri, duke shtuar se “si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur”.
Rama thekson se reagimi i tij është shtyrë pasi “i duhet kohë të gëlltisë gjithë atë që prokuroria nxori sot në zemër të Europës demokratike”.
Pretenca e sotme është një nga fazat më të rëndësishme të procesit ndaj ish-liderëve të UÇK-së, të cilët vijojnë të deklarojnë pafajësinë e tyre.
/r.e/a.f/
