Reagon Policia e Shkodrës: Incident në Theth, parandalohet djegia e urës, mohon sulmin ndaj fadromave

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka reaguar pas lajmeve të përhapura në media dhe rrjetet sociale lidhur me incidente në fshatin Theth, ku u raportua se mjetet fadromë të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe një urë ishin sulmuar me lëndë djegëse (molotov). Policia sqaroi detajet e ngjarjes, duke mohuar disa nga pretendimet fillestare.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:35, një person i paidentifikuar hodhi në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar të djegë një urë druri në lagjen “Gjelaj”. Megjithatë, falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, djegia e plotë e urës u parandalua, ndonëse ura pësoi dëmtime të pjesshme.
Në kundërshtim me disa raportime, Policia e Shkodrës theksoi se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Forca Kombëtare e Sigurisë ndodhen aktualisht në Theth, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, të cilat po zbatojnë planin për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshat.
Grupi hetimor po vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit përgjegjës për hedhjen e lëndës djegëse. Policia ka rikonfirmuar vendosmërinë e saj për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që operojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Gjithashtu, bëhet apel për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave në terren, pasi në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit.
/rtsh.al/