Rebeli Bellocchio shlyen mungesën
Elsa Demo
Dy trofetë e Gladiatorit të Festivalit të Durrësit për Filmin Vincere i tërheq më në fund dorazi regjisori Marco Bellocchio edhe në emër të aktores protagoniste Giovanna Mezzogiorno. I premtuar për të marrë pjesë në edicionin e kaluar të festivalit, shtator 2011, regjisori i shquar italian, shlyen mungesën jo vetëm për të tërhequr trofetë që i meritoi, dhe as vetëm për të prezantuar Të fitosh, po edhe që të rinjtë, studentët e filmit në veçanti, të takohen e të bisedojnë me një regjisor rebel si Bellocchio. Kështu pat besuar edhe e pat cilësuar drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani, e cila ka kontribuar që regjisori të vijë më 4-6 maj. Është shfrytëzuar rasti i Festivalit të Fimit Europian në Tiranë, 2-8 maj.
Megjithatë lajmin e konfirmoi për Shekullin Anila Varfi, drejtoreshë e Festivalit të Durrësit. Kjo është vizita e parë e Bellocchios gjatë së cilës, më 5 maj, ora 20.30, prezanton në Kinema Millenium në Tiranë, filmin Vincere dhe i dorëzohet trofeu si filmi më i mirë për edicionin e katërt të Festivalit të Durrësit. Më i miri sepse Bellocchio përdor me sukses gjithë gjuhët kinematografike të kinemasë – skenarin, performancën, fotografinë, zërin, – për të treguar një histori që është njëherësh epike dhe intensivisht personale. Ai na kujton qartë nëse duam të kujtojmë barbarizmin dhe çmimin që pati fashizmi për jetën e njerëzve dhe botën mbarë.
Trofeu tjetër është për aktoren Mezzogiorno e cila i la përshtypje jurisë nën drejtimin e Nick Powell-it dhe me praninë e regjisorit shqiptar Kujtim Çashku, – për intensitetin e jashtëzakonshëm dhe gamën e emocioneve që kërkohej prej personazhit të Ida Dalserit të cilin e ka përmbushur me një lojë mjaft dinamike.
Vincere është historia e gruas sekrete të Benito Mussolinit me të cilën pati një djalë e që të dy ai i poshtëroi dhe mohoi kur pa se po i bëheshin pengesë rrugës drejt qëllimeve politike dhe udhëheqjes së fashizmit.
Profili i Mussolinit (Filippo Timi) kapet në vitin 1914 kur nga socialist i zjarrtë bëhet nacionalist. Ai është brutaliteti vetë, dhuna mashkullore, vetëpëlqimi, ai është të gjitha ato cilësi që i shërbejnë vullnetit për pushtet.
Ida Dalser (Giovanna Mezzogiorno), e cila lind fëmijën e tij të jashtëligjshëm, e adhuron atë dhe bëhet viktimë e tij, e institucioneve politike, religjioze ku gjithkund është prania e Benito Mussolinit, e pushtetit të tij. Dhe kjo e çon drejt çmendurisë. Transformimi i Idës mban peshën kryesore të filmit. Regjisorit nuk i intereson të tregojë historinë dhe as historinë politike të udhëheqësit të fashizmit italian. Kjo është aq e vërtetë sa Bellocchio e bën të qartë edhe me qëndrimin që mban ndaj një foleje ideologjike dhe estetike të fashizmit: futurizmit. Rrethi i futuristëve është parë me një sy ironik dhe kritik. Adhurimi i luftës si higjiena e botës është burimi i frenezisë, i ambicies, dhunës, dhe përdorimit të seksit. Pikërisht ky magnetizëm futurist që ndihet në gjithë atmosferën e filmit e ka tërhequr dhe Idën fatalisht e bashkë më të, vorbulla e fatalitetit merr edhe Benito Albino Mussolinin, biri i mohuar. Drama e tyre nxjerr jashtë skene Benito Mussolinin, i cili shfaqet në vazhdim vetëm në pamjet arkivore, sepse tani ai i përket historisë.
Vincere është vlerësuar mjaft nga kritika në vendet ku është shfaqur si një makth i madhor dhe grotesk sajë të cilit personazhet janë somnambula, të verbër megjithëse me sytë hapur; Vincere është po aq edhe një reminshencë e harbuar e Historisë të cilën e sjell shumë afër forca e imazhit. Kombinimi i ngjyrave dhe bardh e zisë, aty ku flet fictioni (filmi nuk ka për qëllim të provojë vërtetësinë e fakteve dhe vetë historinë e Ida Dalserit) dhe aty ku përdoren materialet arkivore, e bën Vincere një vepër inteligjente, rebele. Një mjet kinematografik për tu evidentuar është montazhi e jo më kot regjisori vjen në Shqipëri me montazhieren e këtij filmi, Francesca Calvelli, e vlerësuar me çmime. Ajo personalisht do të bëjë disa orë trajnim me studentët e filmit në Akademinë Marubi.
Anila Varfi thotë se më 6 maj, Marco Bellocchio do të jetë në Durrës për të kryer ritualin e nënshkrimit të një pllake në bulevardin e yjeve para Pallatit të Kulturës Aleksandër Moisiu. Jemi të lumtur ta kemi përgjithmonë një kujtim nga dora e Marco Bellocchio-s në qendrën e qytetit të Durrësit. Bëhen rreth 32 pllaka qeramike që mbajnë firmat e Francis Ford Coppola-s, Claudia Cardinale-s, Fanny Ardant, Lech Majewski-t, por edhe të artistëve shqiptarë të gjallë e jo të gjallë si Sandër Prosi, Xhanfize Keko. Varfi falënderon Institutin Italian të Kulturës dhe Intesa Sanpaolo Bank në Shqipëri të cilët bënë të mundur ardhjen e Marco Bellocchios dhe Francesca Calvelli-t. Ceremonia e nënshkrimit të Bellocchios bëhet në orën 18.00, mendohet një ketë një pyetje-përgjigje të regjisorit me publikun në Aleksandër Mosiu dhe në 19.30 shfaqet filmi i fundit regjisorit, Sorelle Mai, premierë ballkanike.
Filmi
Vincere shfaqet në Tiranë më 5 maj në prani të regjisorit Marco Bellocchio në kuadër të Festivalit të Filmit Europian në Shqipëri, me rastin e Muajit të Evropës. Ky festival që organizohet nga një ekip prej ambasadave të huaja në Tiranë, mbështet nga Bashkimi Evropian. Nga 2 maj deri më 8 maj, shfaqen rreth 14 filma nga 10 vende anëtare të BE-së, ndër ta filma vlerësuar me Oscar.
Vincere (Itali, Francë, 2009). Zgjat: 118. Realizimi: Marco Bellocchio. Skenari: Daniela Ceselli, Marco Bellocchio. Fotografia: Daniele Ciprì. Montazhi: Francesca Calvelli. Zëri: Gaetano Carito. Muzika: Carlo Crivelli. Interpretimi: Giovanna Mezzogiorno (Ida Dalser), Filippo Timi (Benito Mussolini / Benito Albino i rritur), Fausto Russo Alesi (Riccardo Paicher), Michela Cescon (Rachele Guidi), Corrado Invernizzi (Dr Cappelletti), Paolo Pierobon (Giulio Bernardi), Fabrizio Costella (Benito Albino fëmijë)
Bio
Marco Bellocchio (1939) e nisi karrierën në vitet 60, pas studimeve në Qendrën Eksperimentale Kinematografike në Romë. Më 1965 realizoi I pugni in tasca që është konsideruar një veprat e para më të mira në historinë e kinemasë. Dhe në vazhdim vepra që kanë hyrë në historinë e kinemasë italiane Nel nome del padre, Lora di religjione, Buongiorno Notte, Il fotografo di matrimoni, Sorelle mai. Vitin e kaluar, në Festivalin e 68-të të Venecias, ai u vlerësua me Luanin e Artë për Karrierën. Çmimi i bënte homazh një regjisori social, nga më të rëndësishmit e kinemasë bashkëkohore i cili gjithnjë ka kërkuar të shohë një mijë fytyrat e realitetit tonë.