E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendum për të miratuar ligjet dhe rrëzuar Murin e Bllokimit

28-01-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha nis konsultimin online me shqiptarët lidhur me nismën për mbajtjen e një referendumi kombëtar për miratimin e tre ligjeve që kërkohen nga Bashkimi Evropian, por që bllokohen nga opozita.

Berisha: “Rama do përsërisë Ramën e vjeshtës 2009, pas humbjes elektorale. Statusi në dorë të shqiptarëve, pas 23 qershorit”
Miratimi me referendum i tre ligjeve kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat është çështja për të cilën kryeministri Sali Berisha kërkon mendimin e qytetarëve shqiptarë. Përmes një mesazhi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, kryeministri Berisha shpjegoi dhe arsyet se përse bën një propozim të tillë. Kreu i ekzekutivit solli në vëmendje se Partia Socialiste dhe lidershipi i saj, janë të vetmit në historinë e integrimit të ish vendeve komuniste, që punojnë për bllokimin e ëndrrës së shqiptarëve. “Të dashur miq! Sot po ju drejtohem për të kërkuar mendimin tuaj për një vendim jetik për çdonjërin prej nesh, fëmijët tanë, të sotmen dhe të ardhmen tonë europiane. Ky vendim është miratimi me Referendum i tre ligjeve që kërkohen për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarë të BE nga Shqipëria. Në tërë historinë e integrimit europian të vendeve ish-komuniste, klikat e përmbysura apo pinjollët e tyre, nuk kanë bllokuar në Parlament ligjet dhe reformat e kërkuara për integrimin e vendeve të tyre në BE siç ka bllokuar, pa asnjë shkak ligjor apo argument logjik, por thjesht për interesa personale, z. Edi Rama votimin e tre ligjeve në Parlamentin tonë”, shkruan Berisha. Në gjykimin e tij, bllokimi po i kushton shumë Shqipërisë. Kryeministri shprehet se duke zhbllokuar statusin e vendit kandidat, Shqipëria merr qindra- miliona euro investime direkte nga KE dhe sektori privat i BE-së. “Duke zhbllokuar me votën e qytetareve statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, ne sigurojmë qindra e qindra milionë euro investime direkte nga Komisioni Europian dhe sektori privat i BE si dhe dhjetëra mijëra vende te reja pune për të papunët tanë, mijëra e mijëra bursa dhe te drejta studimi ne vendet anëtare te BE për të rinjtë tanë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2013-ës, është tashmë e sigurt se z.Rama për mbijetesë politike do përsërisë Ramën e vjeshtës 2009. Prandaj mendoj se për statusin e vendit kandidat duhet të flasin me votën e tyre në një referendum qytetarët shqiptarë. Unë do vlerësoja shumë mendimin tuaj për këtë çështje”, mbyllet mesazhi i kryeministrit Berisha, duke kërkuar opinionin e 372 mijë fansave të tij në rrjetin social Facebook.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›