E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Referendumet”, ushtarë të armatosur rusë i shkojnë derë më derë ukrainasve për të mbledhur vota

Ukrainasit kanë raportuar se ushtarë të armatosur shkojnë derë më derë në pjesët e pushtuara të vendit për të mbledhur vota për “referendume” të rreme për bashkimin me Rusinë.

“Duhet të përgjigjeni verbalisht dhe ushtari e shënon përgjigjen në fletë dhe e mban atë”, tha një grua në Enerhodar për BBC. Në Khersonin jugor, gardistët rusë qëndruan me një kuti votimi në mes të qytetit për të mbledhur votat e njerëzve.

Media shtetërore ruse thotë se votimi derë më derë është për “siguri”.

“Votimi personalisht do të zhvillohet ekskluzivisht më 27 shtator. Në ditët e tjera votimi do të organizohet në komunitete dhe në mënyrë derë më derë”, raportoi Tass.

Një grua në Melitopol tha për BBC se dy “bashkëpunëtorë” vendas mbërritën me dy ushtarë rusë në banesën e prindërve të saj, për t’u dhënë atyre një fletë votimi për ta nënshkruar.

“Babai im tha ‘jo’ për t’iu bashkuar Rusisë. Mamaja ime qëndroi afër dhe pyeti se çfarë do të ndodhte nëse thoshin ‘jo’. Ata thanë: ‘Asgjë’. Mamaja tani është e shqetësuar se rusët do t’i persekutojnë“, tha gruaja.

Prania e njerëzve të armatosur që kryejnë votimin bie ndesh me këmbënguljen e Moskës se ky është një proces i lirë ose i drejtë. Ekspertët thonë se referendumet e vetëquajtura, që do të zhvillohen gjatë pesë ditëve, do t’i lejojnë Rusisë të pretendojë, në mënyrë të paligjshme, katër rajone të okupuara ose pjesërisht të okupuara të Ukrainës si të tyret. Me fjalë të tjera, një votim i rremë për aneksimin, shtatë muaj pas pushtimit të Rusisë./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›