Referendumi, vendimi i Kushtetueses kundër LSI-së rrëzon Berishën

Gjykata Kushtetuese
Vendimi i marrë në vitin 2009 detyron partitë të marrin fillimisht 2/3 e votave në Kuvend
BLEDAR HOTI - Qëndrimi i Partisë Demokratike se do ti drejtohet popullit për mbajtjen e referendumit duke e shmangur Parlamentin, duket se pengohet nga një vendim i marrë tre vite më parë nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë ka shqyrtuar një çështje të ngjashme për referendumin, ku shqyrtoi një ankesë të paraqitur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, në atë kohë në opozitë me Partinë Demokratike. Objekti i kërkesës së LSI-së, ishte a) Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën, i vendimit nr. 47, datë 5.06.2008 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. b) Interpretimi i nenit 150, pika 1 dhe nenit 177 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kishte rrëzuar LSI-së nismën për mbajtjen e një referendumi për ndryshimin e Kushtetutës. Në vendimin nr. 25, datë 24 korrik i vitit 2009, theksohet se Lidhur me çështjen në shqyrtim, Kushtetuta ka rregulluar, në një pjesë të veçantë, procedurat për rishikimin e Kushtetutës (Pjesa e shtatëmbëdhjetë, neni 177). Për rrjedhojë, shqyrtimi i çështjes nëse neni 150 zbatohet gjithashtu ndaj ligjeve për rishikimin e Kushtetutës nuk mund të vlerësohet pa marrë në konsideratë edhe nenin 177 të Kushtetutës. Sipas këtij neni, një amendament kushtetues i miratuar, mund ti nënshtrohet referendumit në dy raste: 1) kur vendosin dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 177/4); 2) kur kërkohet nga një e pesta e anëtarëve të Kuvendit (neni 177/5). Duke qenë se neni 177 i Kushtetutës së Shqipërisë është dispozitë e veçantë për ndryshimin e Kushtetutës duhet prezumuar se, ky nen, trajton në mënyrë të hollësishme mundësitë e organizimit të një referendumi kushtetues për një ndryshim të Kushtetutës. Nga kuptimi i nenit 177 del se, një amendament kushtetues nuk i nënshtrohet referendumit në mënyrë të detyrueshme, por vetëm në rastin kur e kërkojnë subjektet e përmendura më sipër. Neni 177 nuk parashikon të drejtën për të thirrur një referendum për shfuqizimin e një ndryshimi të Kushtetutës nga 50 mijë shtetas me të drejtë vote. Kjo do të thotë që, përfshirja e drejtpërdrejtë e popullit në procesin kushtetutëbërës mundësohet vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend, thuhet në pikën 9 të vendimit. Më tej theksohet se Stabiliteti i Kushtetutës është një vlerë kushtetuese. Kjo garantohet nga një procedurë e vështirë dhe komplekse e amendimeve të Kushtetutës, e parashikuar nga neni 177 i Kushtetutës. Gjykata çmon se kjo qëndrueshmëri mund të dëmtohet nëse një amendament kushtetues, i miratuar me një shumicë prej dy të tretash dhe për të cilin nuk është kërkuar që ti nënshtrohet referendumit nga subjektet e parashikuara në nenin 177 të Kushtetutës, mund të shfuqizohet nëpërmjet një referendumi të kërkuar nga 50 mijë zgjedhës. Kushtetuta ka krijuar hapësirë për pakicën e anëtarëve të Kuvendit, e përbërë prej një të pestës së anëtarëve të tij, që në rastin kur nuk bie dakord me shumicën e anëtarëve prej dy të tretash për amendamentin kushtetues, të kërkojë që ky i fundit ti nënshtrohet referendumit. Megjithatë, Kushtetuta, në mënyrë të qartë, nuk synon mbajtjen gjithmonë të një referendumi mbi ndryshimet e Kushtetutës, por e kushtëzon atë vetëm në ato raste kur konsensusi i gjerë politik mungon. Në këtë kuptim, neni 177 parashikon garanci të mjaftueshme për pakicat (një e pesta e anëtarëve) pa qenë nevoja tu drejtohet parashikimeve të nenit 150 të Kushtetutës. Në argumentin e Kushtetueses, theksohet se bazuar në analizën e mësipërme, gjykata arrin në përfundimin se Kushtetuta e Shqipërisë lejon thirrjen e një referendumi për amendamentet kushtetuese vetëm brenda kufijve të parashikuar nga neni 177. E drejta e 50 mijë shtetasve me të drejtë vote për të kërkuar shfuqizimin e
një ligji, sipas nenit 150, nuk shtrihet në ligjet për rishikimin e Kushtetutës. Për sa më sipër, gjykata çmon se kërkuesi nuk legjitimohet për të kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 47, datë 05.06.2008 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi është votuar në këtë mënyrë: pro kanë qenë anëtarët: Vladimir Kristo, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori, Kujtim Puto, Vitore Tusha. Anëtarët që votuan kundër ishin: Fehmi Abdiu, Gjergj Sauli, Sokol Sadushi dhe Sokol Berberi.
Pesë me katër
Votimi i kërkesës së LSI-së u rrëzua nga pesë votat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa katër të tjerët votuan kundër rrëzimit
Faktet
* Referendumi, si një nga instrumentet e demokracisë direkte, nuk përbën alternativë ndaj procesit ligjvënës të Parlamentit. Ai nuk mundëson bërjen e ligjeve, funksion i cili u është ngarkuar ekskluzivisht ligjvënësve
* Sovraniteti i popullit, i vendosur në kuadrin e një sistemi kushtetues e ligjor, nuk mund të ngatërrohet me pushtetin themelor dhe kërkesa për të ndjekur disa procedura të veçanta gjatë ushtrimit të tij është tërësisht në përputhje me sovranitetin popullor
* Kushtetuta e Shqipërisë, në mënyrë të qartë, e ka lidhur ushtrimin e sovranitetit popullor me rregulla të veçanta
Referendumi, vendimi i Kushtetueses kundër LSI-së rrëzon Berishën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip