Refleksione pas një seance të Kuvendit
Sapo dola nga seanca në parlament, ku kryeministri i ri, Edi Rama, paraqiti programin e qeverisë. Ndoshta për shkak se isha shumë afër me Sali Berishën dhe Jozefina Topallin, më la një shije më të hidhur braktisja që ata, e më pas shumica e deputeteve të opozitës së re, i bënë sallës së Kuvendit. Më e hidhur akoma mu bë kjo shije, kur mësova se Berisha paska bërë thirrje në Facebook të gjithë demokratëve për tu ngritur në këmbë për sakrifica. Nga të gjitha këto veprime, u kuptua me vepra se:
-E para, as Lulzim Basha e as Edi Paloka nuk janë de facto kryetarë të PD-së dhe grupit të saj parlamentar. Sa të jetë Sali Berisha në atë sallë e në atë parti, me sa duket, askush nuk do të ketë të drejtë as të marrë vendime e as të mendojë. Kjo ma rriti shumë më tepër se deri tani, respektin për ish- kryetarin e PS dhe ish- kryeministrin Fatos Nano.
-E dyta, qetësia me të cilën Edi Rama e përcolli këtë moment, duke vijuar fjalën e tij pa ndërprerje, më bëri të kuptoj se ai tashmë e ka bërë të vetën mësimin e vyer se, nëse fiton betejën për zemrat e mendjet e njerëzve, nuk ke më nevojë të bësh përpara, duke treguar forcën e grushteve.
-E treta, meqë mullinjtë e politikës nuk bluajnë me shpejtësinë që dëshiron Sali Berisha, edhe ne opozitë me sa duket ai ka ndërmend të bëjë atë që bëri 8 vjet në qeverisje: Të inskenojë jo vetëm veten, por edhe realitetin virtual që dëshiron.
-E katërta, duken aktuale për ne fjalët e Eleonor Ruzvelt, gruaja e Presidentit të SHBA, Frenklin Ruzvelt kur thoshte se ne duhet të përballemi me faktin se, ose do të vdesim të gjithë bashkë, ose do të mësojmë të jetojmë së bashku. Dhe nëse do të vendosim të jetojmë së bashku, na duhet të komunikojmë. Ashtu siç bëmë pak përpara seancës kur të gjitha palët negociuan dhe ranë dakord që ta shtynin me 48 orë seancën e pyetjeve, diskutimeve dhe debatit rreth programit të qeverisë së re.
-Dhe së fundi, si një frankofon, Berisha duhet ti dijë, por edhe ti zbatojë fjalët e arta të Volterit, kur thoshte: Mik i dashur, unë nuk jam dakord me mendimet tuaja. Por, jam gati qe të jap edhe jetën, që ju të mund ti shprehni lirisht ato.
