E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Territoriale, Berisha: Jo vetëm protesta, por edhe mbledhje firmash për referendum

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi sot mbledhjen e firmave për referendum për reformën territoriale.

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PD-së, Berisha vlerësoi protestat qytetare kundër hartës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste.

“Grupi i punës, i drejtuar nga Luçiano Boçi ka bërë një punë shumë serioze. Dhe siç e dini, ka arritur në një hartë jo përfundimtare me 100 bashki. Pse jo përfundimtare? Është lënë opsioni që komunitete të ndryshme, të cilat në debat faktojnë se ato mund të jenë një bashki apo një komunë apo diçka, t’u konsiderohet e drejta e tyre. Tani Edi Rama, i cili është në momentet e fundit të jetës së tij politike, bën gjithçka për pushtetin e tij”, shtoi Berisha.

Berisha vlerësoi se këshilltarët në Këshillat Bashkiakë kanë mbrojtur interesat e qytetarëve, por tani Partia Demokratike do të angazhohet në një veprimtari të fuqishme në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

“Në të gjitha bashkitë që i zhduk Edi Rama, dhe të gjitha komunitetet ku ne kemi parashikuar bashki, degët e Partisë Demokratike do të nisin peticionin, sapo të marrin formularin nga sekretariati, dhe do të marrin firmat e qytetarëve për bashkinë e tyre.
Në mënyrë që të shkojmë drejt kërkesave ligjore në mbrojtje të interesave të qytetarëve.
Pra, protesta po e po, por edhe firma në mbrojtje të njësive të qeverisjes vendore”, shtoi Berisha.

Sipas tij, propozimi i maxhorancës është absolutisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe  me Kartën Europiane të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, e cila parashikon referendumin për ndryshimin e kufijve të bashkive apo komunave.

“Parashikon konsultimin me referendum. Ndaj dhe ne duhet të fillojmë menjëherë, strukturat tona të angazhohen në të gjitha njësitë që Edi Rama do t’i eliminojë për qëllime elektorale dhe në të gjitha njësitë që ne kemi parashikuar për të ngritur njësi të reja të qeverisjes vendore, kanë bërë dhe një punë shumë të mirë, kanë bërë një konsultë të gjatë me Kongresin e Autoriteteve Lokale, kanë marrë mendimet e tyre”, shtoi ai.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›