Reforma Zgjedhore, Kume: Të ndryshojë sistemi aktual, të adresohet problematika e financimit të fushatave

Teksa mazhoranca dhe opozita duket se kanë rënë dakord për të ngritur Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Kristaq Kume nga Instituti për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore ka kërkuar që ndryshimet të jenë reale për të përkthyr sa më mirë vullnetin e sovranit në vota dhe jo ndryshime “garniturë” për “orekset” e dy partive të mëdha.
Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Kume u shpreh se vendi nuk duhet të ketë më 12 zona rajonale zgjedhore, por katër të tilla. Ai shtoi se sistemi aktual proporcional rajonal nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve, pasi shumë vota nuk përkthehen në mandate, duke dëmtuar përfaqësimin e partive të reja.
“Ajo që duhet të rregullohet në kuadër të reformës zgjedhore është pikërisht sistemi zgjedhor, jo se ndryshuar ky sistem pra të mos hyjnë në ndryshim të Kushtetutës, por të mos ndahet në 12 njësi zgjedhore siç është aktualisht, por në 4 njësi zgjedhore. Çfarë do bënte kjo do e përkthente votën në mandate në mënyrë më proporcionale dhe të drejtë. Partitë e reja që morën shumë vota nuk do të mbeteshin pas u përkthyer në mandate. Një ndryshim i tillë është sovrani që përmes kësaj sistemi proporcional rajonal nuk arrin dot të shpreh vullnetin e tij, pasi shumë vota të qytetarët nuk u përkthyen në mandate. Ky sistem është i shpërfytyruar fare pasi nuk ndodhin dot as koalicion pas-zgjedhor. Më shumë gjasa do të ndodhin ndryshime në kodin zgjedhor, por jo ajo që ne kemi nevojë. Rregullimet bëhen sipas dëshirave të dy partive të mëdha pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëjnë ç’të duan dhe i fusin partitë e vogla sa për “garniturë”. Unë kërkoj që të ndodhi të mos bëjmë sikur bëjmë ndryshime, por të bëjmë gjithçka në të mirë të demokracisë së këtij vendi dhe vullnetit të sovranit”, tha Kume.
Duke analizuar indikatorët e vlerësimit të zgjedhjeve nga viti 2021 deri në 2025, Kuma tha se ka një rënie të konsiderueshme të tyre, kryesisht në pikën e financimit të fushatave si dhe rolit të mediave sociale.
Kume u shpreh se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhen adresuar këto pika, që të rregullohen siç duhen në legjislacion.
“Indikatori me vlerën më të ulët dhe cilësisë së integriteti të zgjedhjeve është financimi i fushatave që ka një ulje të konsiderueshme vlerësimi që nga 2021 deri në 2025. Ndarja në zonat zgjedhore ndikon fort në integritetin e zgjedhjeve dhe është mjaft i ulët në të gjitha këto vite. Në vëmendjen e komisionit të Reformës Zgjedhore që pritet të ngrihet dhe duhet të jetë sistemi, problemet me financimin e fushatës dhe mënyra si është sjellja media në fushatën zgjedhore dhe rolin më të madh e kanë mediat sociale që nuk është fare e rregulluar në legjislacion dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha Kume.
/rtsh.al/