Reforma Zgjedhore përfundon brenda këtij sesioni parlamentar

Deputeti i PS, Gjiknuri: Negociatat do vazhdojnë në Kuvend
Komisioni i Reformës Zgjedhore për të amenduar Kodin elektoral pritet të marrë një mandat tjetër. Bashkëkryetari i këtij komisioni i cili ishte funksional deri një muaj më parë, por nuk mundi të konkretizojë gjë, Damian Gjiknuri deklaron se negociata nuk duhet të zhvillohen në mënyrë joformale, por brenda kësaj strukture parlamentare.
“Kemi themeluar ca kontakte të para dhe besoj se duhet të shikojmë mënyrën se si duhet të qasemi drejt reformës zgjedhore pasi janë gjera që kanë mbetur dhe duhet të gjejmë dhe modalitetet si do ta shtyjmë përpara këtë proces. Që të rivëmë në punë komisionin për një periudhë të shkurtër kohe, në mënyrë që të trajtojmë çështjet e mbetura që nuk patëm mundësi ti adresojmë deri në 15 maj siç e kishim afatin”- thotë Gjiknuri.
Kur pothuajse 90 përqind e kodit zgjedhor ka marrë konsensusin e të dy palëve, pjesa e mbetur sipas Gjiknurit, mund të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar.
“Ne kërkojmë që të përfundojë sa më parë siç e kemi bërë me kohë me dije dhe kërkojmë, sepse mbi të gjitha është e nevojshme për ndërtimin e një platforme për zgjedhje të ndershme që pritet të zhvillohen vitin tjetër”- tha deputeti socialist, Damian Gjiknuri.
Formula e KQZ-së, emërimi i kryetarit të këtij institucioni si dhe e drejta e 2 anëtarëve të tij për të hapur kutitë sa herë dëshirojnë, janë pikat që mbajnë larg votimin me 84 vota të ligjit të zgjedhjeve.