Reforma në Drejtësi, ministria publikon rregullat e reja për Regjistrin Elektronik, skema si do të përzgjidhen ekspertët e gjykatave dhe kriteret që duhet të plotësojnë

Ministria e Drejtësisë ka hedhur një hap drejt rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor përmes një Udhëzimi. Ky dokument sanksionon krijimin e Regjistrit Elektronik të Ekspertëve, një platformë tërësisht digjitale që do të shërbejë si burimi i vetëm zyrtar për gjykatat dhe publikun për identifikimin e specialistëve të licencuar.
Sipas udhëzimit, ky regjistër nuk do të jetë thjesht një listë emërore, por një mjet dinamik monitorimi.
“Regjistri Elektronik i Ekspertëve mbahet në formë elektronike dhe organizohet në seksione, duke grupuar ekspertët sipas fushës së ekspertizës dhe vendit të ushtrimit të aktivitetit,” theksohet në pikën 2 të aktit normativ.
Kriteret e reja, 10 vite përvojë dhe integritet penal
Për t’u bërë pjesë e këtij regjistri, standardet janë lartësuar. Ekspertët duhet të dëshmojnë një karrierë të konsoliduar dhe integritet të pastër moral. Udhëzimi specifikon se aplikantët duhet:
“Të kenë jo më pak se dhjetë vjet përvojë profesionale në fushën përkatëse ose të ngjashme, ose pesë vjet përvojë profesionale e këtij lloji, nëse aplikanti ka përfunduar trajnim profesional në fushën përkatëse.”
Gjithashtu, parashikohet një kontroll i rreptë penal, ku regjistrimi refuzohet nëse personi është dënuar për vepra që “cenojnë figurën dhe integritetin e profesionit të ekspertit”.
Digjitalizimi përmes e-Albania dhe sistemi i “pikëzimit”
Gjithë procedura e aplikimit do të kryhet ekskluzivisht përmes portalit e-Albania, duke shmangur kontaktet fizike dhe burokracinë. Por risia më e madhe që sjell ky udhëzim është Sistemi i Pikëzimit (Rating), ku puna e ekspertit do të vlerësohet drejtpërdrejt nga palët e interesuara.
“Regjistri Elektronik i Ekspertëve parashikon një sistem pikëzimi, nëpërmjet të cilit palët e interesuara vlerësojnë ekspertët për punën e kryer,” thuhet në pikën 28 të udhëzimit. Ky vlerësim do të monitorohet nga Ministria, e cila do të hartojë raporte analizë vjetore mbi performancën e çdo eksperti.
Penalitetet, nga pezullimi deri te përjashtimi i përhershëm
Udhëzimi i ri është mjaft i prerë sa i përket disiplinës. Për shkelje të deontologjisë apo mospërmbushje të detyrës, ekspertët përballen me çregjistrim dhe afate ndalimi që rriten në rast përsëritjeje. Në rastin më ekstrem, nëse një ekspert çregjistrohet më shumë se tri herë, ai “nuk mund të regjistrohet më në Regjistrin Elektronik të Ekspertëve”.
Statusi i ekspertit do të kalojë automatikisht në “I pezulluar” nëse ndaj tij vendoset një masë ndaluese penale ose nëse ai largohet përkohësisht nga vendi.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë, duke shfuqizuar rregullat e vitit 2018.
/rtsh.al/