E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reforma në administratë dhe integrimi, Pirdeni prezanton vizionin “Administrata 2030” dhe planin e ri antikorrupsion

Rrugëtimi drejt një administrate të standardeve evropiane deri në vitin 2030 dhe lufta parandaluese kundër korrupsionit janë shpallur si prioritete nga Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni. Gjatë një raportimi përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ministrja Pirdeni paraqiti një pasqyrë të detajuar të reformave të ndërmarra dhe strategjive të ardhshme për modernizimin e institucioneve shtetërore në prag të negociatave me Bashkimin Evropian.

Vlerësimet ndërkombëtare dhe Reforma e Pagave

Në fjalën e saj, Ministrja solli në vëmendje raportin e fundit të SIGMA-s (një nismë e përbashkët e OECD-së dhe BE-së), i cili e rendit Shqipërinë si vend lider në rajon për performancën e administratës publike. Ky vlerësim pozitiv mbështetet në katër shtylla kryesore:

Menaxhimi i financave publike.

Menaxhimi i burimeve njerëzore.

Digjitalizimi i shërbimeve publike.

Koordinimi i politikave.

Një rol qendror në këtë vlerësim ka luajtur reforma e pagave. Sipas Pirdenit, “kjo ndërhyrje strukturore ka rikthyer dinjitetin e nëpunësit civil, duke vendosur një model karriere të bazuar në meritokraci, shpërblim të drejtë dhe njohje të aftësive profesionale.”

Inovacioni dhe platforma e re e punësimit

Në kuadër të modernizimit, Pirdeni bëri të ditur se qeveria synon ta kthejë administratën publike në një punëdhënës konkurrues në tregun e punës. Për këtë qëllim, është paralajmëruar krijimi i një portali të ri punësimi në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, i cili do të garantojë më shumë transparencë.

Sipas saj, gjenerimi automatik i të dhënave për të gjithë punonjësit, për një matje më të saktë të performancës.

Nisja e iniciativës “Karriera jote, e ardhmja e Shqipërisë europiane”, e destinuar për tërheqjen e profesionistëve me profile specifike që i shërbejnë procesit të integrimit.

Përgatitja e kapaciteteve për BE-në

Sfidat e anëtarësimit kërkojnë një administratë të përgatitur jo vetëm për të negociuar, por mbi të gjitha për të zbatuar legjislacionin evropian (Acquis).

Ministrja theksoi se brenda 6-mujorit të parë të vitit do të përmbyllet procesi i vlerësimit të kapaciteteve institucionale. Sipas saj, objektivi nuk është shtimi i pakufishëm i numrit të punonjësve, por optimizimi i burimeve njerëzore ekzistuese dhe plotësimi i boshllëqeve me ekspertizë të kualifikuar në sektorët kyç.

Fokus te parandalimi i korrupsionit në sektorët e ndjeshëm

Një vëmendje e veçantë gjatë raportimit iu kushtua luftës kundër korrupsionit. Sipas Pirdenit, strategjia e re fokusohet te parandalimi sistemik, duke ngritur barriera institucionale që ulin mundësinë e abuzimeve në praktikë.

“Suksesi nuk matet vetëm me numrin e të hetuarve dhe të dënuarve, pasi kjo është detyrë e organeve ligjzbatuese, por me numrin e rasteve që nuk ndodhin në praktikë për shkak të sistemeve që bëhen gjithnjë e më rezistente,” u shpreh ajo.

Për këtë vit, institucionet do të përqendrohen te sektorët e identifikuar si më vulnerabël ndaj korrupsionit, të cilët përfshijnë: Pronat, Shëndetësinë, Tatim-Doganat, Arsimin dhe Prokurimet Publike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›