E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reforma territoriale/ Berisha: Një nga dështimet më të mëdha, do propozojmë variantin tonë

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar ka deklaruar se reforma territoriale është një nga dështimet më të mëdha në historinë e vendit. Sipas Berishës, reforma territoriale nuk është gjë tjetër veçse reforma e punësimit partiak.

“Reforma territoriale e qeverisë aktuale është një nga dështimet madhore në historinë e vendit, dështim i cili nxori në pah diskriminimin madhor të qytetarëve shqiptarë, pabarazinë e tyre në aksesin ndaj shërbimeve, një ndarje territoriale e bazuar në dëshira partiake dhe në kundërshtim flagrant me kriteret e përcaktuara nga kongresi i autoriteteve rajonale, në kundërshtim të hapur me interesat e qytetarëve shqiptarë. Kjo reformë është një dështim i madh sepse ishte presupozuar që të lehtësonte barrën e administratës mbi qytetarët shqiptarë, rrogëtarët që këta qytetarë paguajnë për njësi vendore. Nga 420 bashki dhe komuna, sot në 61 njësi të qeverisjes vendore, punonjësit që paguhen janë mbi 50% më shumë sesa nga ata që paguheshin në 420 njësi. Kjo reformë nuk ishte gjë tjetër veçse reforma e punësimit partiak. Në pazaret e mëparshme siç ka rezultuar, me të cilat PD sot nuk ka asnjë lidhje, me Edi Ramën ishte rënë dakord që të votohej vettingu dhe ai do shtonte 4 bashki. Ky ishte një pazar i papërgjegjshëm, jashtë të gjitha kritereve. Si zakonisht ky ishte një Pazar sa për të kaluar radhën se dje PS deklaroi se nuk kemi asnjë detyrim dhe nuk do respektojmë asgjë”, tha Berisha.

Berisha bëri me dije se Partia Demokratike do propozojë variantin e ri për ndarjen territoriale. Kjo gjë, theksoi Berisha, do bëhej e mundur me anë të një votimi masiv të shqiptarëve për Partinë Demokratike.

“Qytetarët me shumë të drejtë shtojnë pyetjen: po ju që nuk keni votat pse angazhoheni në një proces? Pyetja është e drejtë. Ne angazhohemi sepse reforma territoriale është shumë e rëndësishme për qytetarët. Ne përgatisim variantin tonë që e kemi shumë të qartë që me një armik të lirisë së shqiptarëve, si Edi Rama që bën gjithçka për të dominuar vullnetin e tyre, kjo platformë nuk do miratohej. Një votim masiv i shqiptarëve për PD bën të mundur rikthimin e kësaj ndarje të re territoriale”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›