E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reforma territoriale e PS, shkrihen 20 bashki. Berisha tregon emrat

Reforma territoriale e PS, shkrihen 20 bashki. Berisha tregon emrat

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ndërhyri në procesin e reformës territoriale, duke synuar shkrirjen e të paktën 20 bashkive të tjera në vend.

Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh se ka pasur përpjekje për bashkëpunim me përfaqësuesit e mazhorancës lidhur me këtë proces, por sipas tij, marrëveshja është prishur me urdhër të kryeministrit.

Berisha tha se ishte rënë dakord për zgjatjen e afatit të komisionit dhe për marrjen e ekspertizës së Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, një kusht që, sipas tij, mbetet i panegociueshëm për opozitën.

Sipas liderit demokrat, Edi Rama ka urdhëruar ministrin Ervin Mazniku të vijojë procesin në mënyrë të njëanshme, duke anashkaluar dakordësinë e arritur mes palëve.

Berisha tha se projekti i diskutuar parashikon reduktimin e të paktën 20 bashkive në të gjithë vendin, duke përmendur mes tyre Krujën, Fushë-Arrëzin, Mirditën, Konispolin, Delvinën dhe Finiqin.

Gjatë deklaratës së tij, kreu i PD-së ndaloi edhe te bashkia e Delvinës, duke vlerësuar ish-kryebashkiakun e ndjerë Dhurim Alimani.

“Dhurim Alimani ishte një nga qeveritarët vendorë më të mirë që kishte Shqipëria. Ata që përdorin emra duhet të maten mirë kur përmendin emrin e një qeveritari vendor shembullor siç ishte i ndjeri Dhurim Alimani”, u shpreh Berisha. a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›