E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformat në energji, Karakaçi: Shqipëria përfiton 61 milionë euro nga Plani i Rritjes, objektivi u përmbush para afatit

Reformat në sektorin energjetik kanë sjellë rezultate konkrete, ndërsa Shqipëria ka përmbushur përpara afatit objektivin për instalimin e mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Lajmin e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili prezantoi arritjet e periudhës 1 janar–30 qershor 2026.

Sipas ministrit, gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë një sërë masash për modernizimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin e sektorit shqiptar të energjisë me standardet e Bashkimit Evropian. Një prej hapave të rëndësishëm është ngritja e sistemit të garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili synon t’u japë konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdorin.

Gjithashtu, janë miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, ndërsa miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike synon forcimin e funksionimit të tregut, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe afrimin e Shqipërisë me tregun evropian të energjisë.

Karakaçi bëri të ditur se janë ndërmarrë masa edhe për harmonizimin e legjislacionit për biokarburantet, thjeshtimin e procedurave për investimet në energjinë e rinovueshme dhe avancimin e integrimit të tregut shqiptar të energjisë me atë të Bashkimit Evropian. Një nga objektivat kryesore të reformës ishte instalimi i 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme deri më 30 qershor 2026. Sipas ministrit, objektivi është tashmë i përmbushur dhe kapaciteti i ri i instaluar ka kaluar nivelin e 600 MW.

“Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor. Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian”, deklaroi Karakaçi.

Sipas tij, shifrat tregojnë se reformat ligjore po shoqërohen me investime konkrete në sektorin energjetik. Përmbushja e masave të përcaktuara deri më 30 qershor i hap rrugën edhe disbursimit të 61 milionë eurove në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian.  Fondet pritet të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Një tjetër masë e ndërmarrë është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe krijimi i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë. Sipas ministrit, këto masa synojnë t’u krijojnë më shumë mundësi qytetarëve, bizneseve dhe njësive të qeverisjes vendore për të marrë pjesë në tranzicionin energjetik. Karakaçi tha se disa masa janë ende në proces, ndërsa puna do të vijojë për përmbushjen e plotë të angazhimeve dhe reformave në sektor.

“Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë. Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.

Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik”, u shpreh ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›