E Enjte, 5 Nëntor 2026

Refuzimi i darkës nga përfaqësues të KiE/ Rama: Fjala ime iu ra si rrufe në qiell të pastër, PD e nongratave dhe e rublave merret me dokrra

Kryeministri Edi Rama reagon pas refuzimit publik që grupet parlamentare të Partive Popullore Evropiane dhe Kristiandemokrate të Këshillit të Evropës i bënë duke mos pranuar të shkojnë në darkën e organziuar nga Shqipëria në Strasburg.

Në twitter, Edi Rama thotë se arsyeja është fjalimi në asamblenë parlamentare të KiE-së. Sipas kreut të qeverisë, refuzuesit u shokuan pasi mësuan se trafiku i organeve njerëzore gjatë luftës së Kosovës është i gënjeshtërt.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori, si sajesa e trafikut të organeve!

 

Edi Rama thotë se deputetëve në KiE-es e vërteta u ra si rrufe në qiell të pastër dhe do të kërkojë kohë te ata, që të analizojnë faktet. Në reagimin e tij, kreu i qeverisë u kërkon që të korrigjojnë gabimin e bërë 11 vite më parë. Po aq të padrejtë e quan edhe kundërvënien e Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

 

Është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e “non gratave” dhe e “rublave”, gjen kurajën të kundërvihet e të merret me dokrra.

Të mërkurën kryeministri Edi Rama i kërkoi asamblesë së KiE-s miratimin e rezolutës së Shqipërisë që rrëzon atë të para 11 viteve e cila nuk vërteton akuzat për trafik të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Fjalimi i Edi Ramës shkakoi debate në sallë, u kritikua nga disa deputetë dhe në fund grupi i PPE/CD nuk i shkuan  Edi Ramës në darkën e shtruar nga delegacioni shqiptar në Strasburg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›