Regjisori: Si e hoqi Feçorr Shehu Robert Ndrenikën nga Fijet që priten

Foto e papublikuar me pare e filmit fijet qe priten. Ne qender aktori Robert Ndrenika ne rolin e punonjesit te sigurimit perpara se te zevendesohej nga Astrit Cerma
Regjisori tregon peripecitë e realizimit të filmit në 75-76
Feçorr Shehu: Ka një vëlla të arratisur, s’mund të luajë punonjësin e Armës së Sigurimit.
Muharrem Fejzo i përket ndoshta sërës së aristokratëve të fundit. Me një kulturë dhe politesë për t’u pasur zili, që të rinjtë e sotshëm do ta quanin “old fashion”, të pret në apartamentin e tij në rrugën “Musa Agolli”, ku jeton me bashkëshorten, sa herë vjen nga Italia.
Shija e artistit ndihet që tek dera e jashtme, nga mënyra se si ka shkruar emrin mbi të, ndërsa brenda është pak të thuash një galeri arti. Jo vetëm sepse Muharrem Fejzo është një nga regjisorët më të mirë shqiptarë, por edhe sepse ai është njëkohësisht piktor e skulptor. Jemi me fat që e gjetëm regjisorin në Tiranë. Ndodhet këtu prej pak kohësh dhe në qershor do të kthehet sërish në Itali tek i biri, gjithashtu një kantautor i njohur, Joe Artid Fejzo. Edhe pse ka ardhur të qëndrojë për pak, nuk mund të rrijë duarkryq. Ka nisur të shkruajë kujtimet. Regjisori i filmave “Kapedani”, “Mësonjëtorja”, “Guna përmbi tela”, “Binarët”, e shumë të tjerë, ka kaq shumë për të treguar! Një copëz prej kujtimeve të tij është edhe realizimi i filmit “Fijet që priten”. Gjithkush mund të kujtojë episode e batuta nga filmi me Sami Amenin e Marko Ruvinën, ku luajnë Kadri Roshi, Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Astrit Çerma etj. Por shumë pak mund të dinë se rolin e punonjësit të Sigurimit në këtë film fillimisht e luante aktori

Regjisori Muharrem Fejzo
Robert Ndrenika. Pushtetarët e lartë nuk mund ta pranonin që vëllai i një të arratisuri të luante një prej njerëzve “të tyre”, ndaj urdhëruan që ta zëvendësonin menjëherë. Në kujtimet e tij Fejzo tregon si u realizua ky film, që nga bashkëpunimi me Neshat Tozajn, që ishte edhe punonjës në Ministrinë e Brendshme, tek gjetja e aktorëve, episode plot humor nga xhirimet, deri tek projektimi i filmit për Feçorr Shehun dhe zëvendësimi i Robert Ndrenikës me Astrit Çermën. “Ishte periudhë e ashpër e luftës kundër liberalizimit. Ishte një kompleks gjërash që të merrnin frymën dhe ne si krijues e kishim jashtëzakonisht të vështirë, sepse censura binte pa mëshirë mbi ne. Ne kishim një kinomekanik që i thoshim Qafa, që shfaqte filmat tek udhëheqja. Kur kthehej pas projeksionit, ne e prisnim tek shkallët e Kinostudios, nëse po vinte duke qeshur apo jo. Kur vinte i zymtë dhe bishtnonte, thoshim: Bobo e hëngri ky!”. Largimin e Ndrenikës nga filmi Fejzo e ndiente si një barrë të rëndë, edhe pse aktori e priti me një mirëkuptim të jashtëzakonshëm. Kështu ndodhi që regjisori i ofroi rolin e Kockës tek “Mësonjëtorja”, ndërsa më pas, edhe me zbutjen e situatës politike, Robert Ndrenika do të “rehabilitohej” tërësisht dhe do të bëhej një nga emrat e pazëvendësueshëm të kinemasë dhe teatrit shqiptar…
Kujtime nga Muharrem Fejzo
Në mes të ngacmimeve të shumë leximeve, gjeta dhe novelën e Neshat Tozajt, “Fundi i një brenge”. Në fund të filmit “Operacioni zjarri” është një batutë e “Kometës”: Nëse gjatë kësaj kohe na është dashur të ndeshemi me zjarr, ka ardhur koha të ndeshemi me kravatë! – (Dhe ajo kravatë, do të ishte si ajo e Stolipinit, i cili armiqtë e regjimit në Rusi i shkonte me litar në fyt!) E kisha në kujtesë dëshirën për të xhiruar filma aksioni. Fabula e novelës e përmbante këtë gjakim. Ishte fundi i muajit maj, kur u takova me autorin e novelës, Neshatin. Që në vështrimin e parë, pashë në atë fytyrë të mprehtë një vështrim të zgjuar, zhbirues. Trupi i tij i dobët, fytyra e zbetë prej intelektuali, dora e akullt, të jepnin të kuptoje se kishe të bëje me një njeri që ushtronte profesionin e kriminalistit. Fjalë pak, një mikrofizionomi e lexueshme me vështirësi, më krijoi shtysën për ta ndezur pak bisedën. Temperamenti im sanguin nuk përkonte fare me atë “flegmë” të gjallë. Nuk m’u desh shumë kohë për të zbuluar tek ai një të fshehtë që e ruante me kujdes. Nuk besonte se me të vërtetë novela e tij do të gjente fatin të ekranizohej. Kishte dëgjuar se në Kinostudio regjisorët bënin shumë propozime, por që nuk gjenin rrugën e realizimit skenik. Ishte sedërli i madh. Mbas disa takimesh u bind se unë e kisha seriozisht. Atëherë fytyra iu çel dhe zbulova tek ai një humor të zgjuar prej labi të mençur. Mendova për një çast, meqenëse ai nuk e njihte gjuhën e filmit, se do të shprehte dëshirën për bashkëpunim në skenarin letrar si kisha vepruar me Markun. Më kot u përpoqa t’i shpjegoj vështirësitë e gjetjes së mjeteve shprehëse të veprës letrare, që kërkojnë ekuivalentin artistik të gjuhës së kinemasë. Një tik nervor u shfaq në fytyrën e tij imcake. E shkroi vetë skenarin. Patëm shumë fërkime derisa gjetëm udhën e bashkëpunimit. Mbas shumë humbjeje kohe për vështirësitë burokratike dhe mbasi skenari kaloi në filtrin e instancave përkatëse të zbulimit, më dhanë grupin e xhirimit. Isha i kënaqur me njerëzit që do të drejtoja në këtë film. Petraqi operator, piktor Namik Prizreni dhe drejtor Josif Kromidha. Asistentë, aktori Petrit Llanaj e të tjerë. Përpara se të shkruaja skenarin tekniko-regjisorial, ndjeva shtysën të përcaktoja aktorët që do të mishëronin rolet. Fototeka dhe albumet tek fotografi Agim Vërzivolli dhe fotot e tjera që do bënim në takime me aktorët, do të më vinin në ndihmë për zgjedhjen sa më të mirë.
***

Nga xhirimet e filmit Fijet që priten
Kujtesa është si një rrjetë. Ndonjëherë e gjen atë plot peshq kur e nxjerr nga lumi, por rrjedha e pafund e ujit që kalon nëpër të shpesh nuk lë asgjë në rrjetë. Për fatin tim të mirë, kam ruajtur me kujdes shënimet për çdo film nëpër ditarë. I tillë është dhe ditari “gri”. Në syprinën e tij është shënuar dita e fillimit të punës për ekranizimin: 16.9.’75.
Papritur realiteti u duk aq i ngatërruar, sikur do të rrëfeje një makth! Asistentët duhet të shkonin në transhe për gërmime. Operatori është i zënë me një relacion partie. Të tjerë pjesëtarë të grupit janë të angazhuar me filma, të cilët nuk kanë mbaruar ende. Për pjesëmarrjen e aktorëve të Teatrit Popullor duhet biseduar me drejtorin V. Aristidhi. E pres me dëshirë takimin me të. Jam i sigurt që ai do të më ndihmojë. Problemi më i pazgjidhshëm ishte Kadri Roshi. Ai ishte ndëshkuar nga organizata e partisë e teatrit për “imoralitet” dhe e kishin çuar për riedukim në Guroren e malit të Dajtit! Ishte për të qeshur dhe për të qarë; Kadriu, kur ishte i shtruar në spital, nuk e di përse, i kishte futur duart infermieres…! Mjaftonte kjo që komunisti Kadri të jepte llogari përpara shokëve të partisë