Regjistrimi i votuesve nga jashtë, Celibashi: Deri tani 397 kërkesa, kryesojnë nga Italia dhe Gjermania

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Ditën e sotme ka nisur procesi i regjistrimit të votuesve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për zgjedhjet e 11 majit, i cili vazhdon deri në 4 mars.
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi gjatë një konference për mediet ka dhënë detaje në lidhje me regjistrimin e votuesve nga jashtë, ku tha se deri tani janë 397 kërkesa të paraqitura.
Celibashi tha se kërkesat janë ndarë sipas shteteve, ndër të cilat kryeson Italia me 97 kërkesa, më pas Gjermania me 81 kërkesa, Mbretëria e Bashkuar me 51 kërkesa, 36 kërkesa nga Greqia, 23 nga SHBA, si dhe nga shtete të tjera nga e gjithë bota.
“Kërkesat janë paraqitur nëpërmjet PER nga gjithë globi”, theksoi Celibashi.
Kryekomisioneri nënvizoi se “sistemi ka funksionuar në mënyrë perfekte”.
Duke iu referuar të dhënave për bashkitë, Celibashi tha se “117 kërkesa janë për Tiranën, Durrës 27, Vlora 19, Kurbini 15”, si dhe nga bashki të tjera nga gjithë vendi.
“Edhe gjeografia e kërkesave duket e gjerë dhe ka përfshirë gati të gjithë bashkitë e Shqipërisë”, tha Celibashi.
I pyetur për votuesit nga jashtë të cilëve mund t’u refuzohet kërkesa për t’u regjistruar pasi nuk kanë plotësuar kriteret, Celibashi theksoi se nuk do të ketë penalizime, por ata do mund të ripalikojnë sa herë të duan deri në datën e afatit të fundit, 4 mars.
“Deri në 4 mars ata mund të riaplikojnë sa herë të duan, nuk ka kufizime. Nëse kërkesa u refuzohet për çfarëdolloj arsye, mund ta riparaqesë këtë kërkesën sa herë të dëshirojë, deri më 4 mars. Pas datës 4 mars, nëse një prej zgjedhësve i cili gjendet në listën nga jashtë, dhe nuk do të votojë nga aty ku ka vendqendrimin, ka një mënyrë për ta adresuar, do t’i kërkohet Gjendjes Civile të bashkisë ku ai ka regjistrat e Gjendjes Civile për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve brenda vendit”, tha Celibashi.
Celibashi u shpreh se janë marrë masat që nuk do të kenë asnjë problem me aplikacionin PER, ku regjistrohen votuesit nga jashtë.
“I kemi marrë masat, në vlerësim tonë nuk do ketë asnjë problem dhe jemi të organizuar nga pikëpamje teknike dhe njerëzore për të përballuar të gjitha flukset e mundshme. Fakti që kërkesat kanë ardhur nga kontinente të ndryshme, do të thotë që sistemi i përgjigjet mirë çdo lloj kërkese, pavarësisht se ku është aplikanti. Kjo është provë që sistemi që kemi ndërtuar është solid nga pikëpamje teknike dhe e sigurisë. Jemi në bashkëpunim 24/7 me institucione të tjera shqiptare për t’iu përgjigjur çdo lloj risku të mundshëm”, tha Celibashi.
/r.e/