E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rehabilitimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, marrëveshja me BERZH në vlerën e 98.7 milionë euro

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi marrëveshjen e huasë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj u shpreh se objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit për të mundësuar ofrimin e një shërbimi modern të transportit, arritjen e lëvizshmërisë së gjelbër të qëndrueshme, sipas standardeve të BE-së, si dhe zbatimin e direktivave të BE-së e përmbushjen e kërkesave të financuesve.

Relatorja e çështjes, deputetja Edona Bilali, tha se zbatimi i projektit synon rritjen e kushteve të sigurisë dhe shpejtësisë së trenave përgjatë kësaj linje hekurudhore, ndërtimin e një infrastrukture hekurudhore ndërvepruese, të lidhur me vendet fqinje të rajonit e më gjerë, që plotëson kërkesat e Sistemit Evropian të Menaxhimit të Trafikut Hekurudhor (ERTMS), krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e shërbimeve të udhëtarëve dhe mallrave, rritjen ekonomike dhe zhvillimin social brenda vendit, lehtësimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike me vendet fqinje dhe ato anëtare të BE-së, etj.

Kredia e BERZH kap vlerën e 98.7 milionë euro, ndërkohë që kosto totale për rehabilitimin e hekurudhës Vorë–Hani i Hotit arrin në vlerën 370 milionë euro.

Kjo linjë hekurudhore përshkon ultësirën perëndimore me stacione në Vorë – Mamurras – Laç – Milot – Lezhë – Shkodër – Koplik – Hani i Hotit, ku bëhet dhe lidhja me Malin e Zi. Komuniteti i Transportit ka vlerësuar se rehabilitimi i saj do të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim transportit të pasagjerëve, mallrave, por edhe mjedisit. Gjatësia e kësaj linje hekurudhore është 120 kilometra.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›