Rehabilitimi i hidrovorit të Grethit në Rrogozhinë përmirëson kullimin e 500 ha tokë bujqësore

TIRANË, 29 tetor /ATSH / Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ishte në Rrogozhinë ku inspektoi përfundimin e punimeve në Hidrovorin e Grethit, një nga investimet më të rëndësishme për mbrojtjen nga përmbytjet të tokave bujqësore në zonë.
Salla tha se, “me përfundimin e plotë të punimeve dhe kalimin në fazën e kolaudimit, hidrovorit i janë instaluar pompa të reja me fuqi 4.2 m³/s, të cilat garantojnë funksionim të qëndrueshëm dhe efikas të sistemit kullues për rreth 500 hektarë tokë bujqësore”.
Ky investim do të ndihmojë fermerët lokalë duke përmirësuar kushtet e punës dhe duke rritur rendimentin e prodhimit për produktet “Made in Albania”.
Ministri Salla theksoi rëndësinë e projekteve të tilla për zhvillimin rural dhe qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor, si pjesë e programit kombëtar për përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese në vend. e.xh/j.p/