Rehabilitimi i rrugës “Aristoteli” në Durrës, banorët në protestë: Të përfshihen edhe trotuare për fëmijët e shkollës

Banorët e lagjes nr. 15 në Durrës kanë protestuar në lidhje me investimin që po kryhet për rehabilitimin e një rruge të brendshme të saj.
Në rrugën “Artistoteli”, Këshilli i Qarkut Durrës ka nisur investimin me vlerë 42,8 milionë lekë, i cili përfshin shtrimin, asfaltimin dhe vendosjen e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e shiut. Banorët kërkojnë që rruga të ketë edhe trotuare, pasi mund të ketë rrezik për fëmijët që shkojnë në shkollë.
“Shtrohet rruga pa trotuare, pa gjë… pa prishur avllitë. Në këtë rrugë kryesore kanë vdekur mbi tre veta, se njerëzit nuk kanë ku të ecin. Është shumë rrugicë e ngushtë.“
“Ata që punojnë për këto gjëra le t’i zgjidhin këto punë, se edhe kështu, që ta bëjnë rrugën atje 4 metra dhe këtu 8 metra…“
“Si mund të shkojnë në shkollë me këtë rrugë gjithë këta fëmijë, të kalojnë në mëngjes, drekë, darkë?!“
Një tjetër banor i kësaj zone ngre shqetësimin edhe në lidhje me kanalizimet e ujërave të ndotur, pasi në një pjesë të saj ata dalin në sipërfaqen e një kanali të hapur.
Burime nga qarku i Durrësit bënë të ditur se në lidhje me investimin në fjalë, në këtë aks rrugor me gjatësi afro 500 m, janë planifikuar trotuare vetëm në një pjesë ku ka qenë e mundur.
/rtsh.al/