Reklama e luksit dhe propaganda e krimit, pse influencuesit në rrjetet sociale po bëhen shënjestër e karteleve?

Vrasja e një influencuesi të ri, e kapur në kamera ndërsa po transmetonte drejtpërdrejt në shtetin Sinaloa të Meksikës, ka ngritur pyetje rreth lidhjeve të mundshme midis krijuesve të përmbajtjes dhe karteleve kriminale në këtë pjesë të vendit.
Gjatë transmetimit, dy burra me motoçikletë i u afruan César Gastélum, i cili po bisedonte me dy miq jashtë një restoranti të ushqimit të shpejtë në qytetin e Culiacán. Shoferi i motoçikletës e qëlloi atë në kokë nga afër përpara se të largohej nga vendngjarja.
Zyra e prokurorit të shtetit të Sinaloas bëri me dije se linjat e saj të hetimit përfshijnë një numër postimesh që Gastélum kishte publikuar, “disa prej të cilave i referohen një grupi kriminal”. Zyrtarët sqaruan se ai nuk kishte marrë kërcënime nga grupet kriminale dhe as nuk ishte nën hetim nga policia për lidhje të dyshuara kriminale.
Gastélum është të paktën krijuesi i dhjetë i përmbajtjes i vrarë në Sinaloa që nga shpërthimi i luftës midis dy fraksioneve rivale të kartelit të Sinaloas dy vjet më parë. Në postimet e tij, ai ndante shpesh foto me makina të shtrenjta, udhëtime luksoze, klipe humori, si dhe një foto te varri i influencuesit Leobardo Aispuro, i njohur si “El Gordo Peruci”, i cili u vra në vitin 2024.
Lidhur me ndërthurjen e rrjeteve sociale me botën e krimit, Claudia Arruñada, eksperte komunikimi në Universitetin Iberoamerikan të Meksikës, u shpreh:
“Algoritmi [i mediave sociale] dhe narkotrafiku promovojnë të njëjtën gjë: konsumin dhe luksin si vlera përfundimtare, që duhen arritur në mënyrën më të shpejtë të mundshme.”
Ajo shtoi më tej se modeli i suksesit nuk bazohet më te puna metodike, por te një “ngritje meteorike”, duke argumentuar se në disa raste influencuesit kanë promovuar narkokulturën duke lidhur pasurinë me shfrytëzimet e narko-konfederatave.
Nga ana tjetër, krijuesit e përmbajtjes e refuzojnë etiketimin si “narko-ndikues”, duke pretenduar se ekspozimi i një stili jetese luksoz mund t’i bëjë vetvetiu shënjestër në Culiacán. Megjithatë, studimet sugjerojnë se kartelet i përdorin ata si menaxherë komuniteti për të promovuar “markën” e tyre, gjë që i kthen përhapësit e propagandës në shënjestra kur fraksionet kthehen kundër njëra-tjetrës.
Në janar të vitit 2025, fletëpalosje të hedhura nga një aeroplan në Culiacán akuzonin 25 influencues dhe muzikantë për lidhje me fraksionin “La Mayiza” në përplasjen me “Los Chapitos”, ku gjashtë prej të përmendurve janë vrarë. Emri i Gastélum nuk ishte në atë listë.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum deklaroi se autoritetet lokale dhe kombëtare do të ndjekin penalisht ata që ekzekutuan dhe urdhëruan vrasjen. Qeveria meksikane po përpiqet të shkëpusë lidhjen midis kulturës popullore dhe krimit duke denoncuar narkokoridot dhe duke u përballur me krimin, ndërsa shifrat zyrtare tregojnë se numri i vrasjeve ka rënë me 48% në vitin 2025.
/rtsh.al/