E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekord, 10.7 milionë turistë/ INSTAT: Shqipëria priti rreth 5 përqind më shumë vizitorë në periudhën janar-shtator

Shqipëria vijon të regjistrojë fluks të turistëve të huaj gjatë këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë periudhës janar-shtator 2026, në vend kanë hyrë rreth 10.7 milionë shtetas të huaj, duke shënuar një rritje me gati 5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se fluksi i vizitorëve të huaj vijon të mbetet i lartë edhe gjatë muajve të vjeshtës, kur sezoni turistik veror po i afrohet fundit.

Shumica e shtetasve të huaj që vizitojnë Shqipërinë vijnë nga vendet europiane. Interesant është fakti se ka pasur një interes të lartë të vizitorëve nga shtetet e Europës Jugore. Vitet e fundit është kthyer trend ardhja e turistëve italianë, spanjollë dhe portugezë. Nuk mbeten pas edhe vizitorët nga Kosova apo Maqedonia, të cilët kryesojnë listën. Rritja e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri tregon se vendi po konsolidohet si një destinacion tërheqës në tregun evropian.

Vetëm gjatë muajit shtator, në territorin e vendit tonë kanë hyrë 1 milion e 286 mijë shtetas të huaj. Në krahasim me shtatorin e vitit 2025, ky tregues është rritur me mbi 2 për qind.

Shifrat për nëntëmujorin dhe ecuria e muajit shtator tregojnë se lëvizjet drejt Shqipërisë vijojnë të jenë në nivele të larta. Rritja e hyrjeve të shtetasve të huaj mbetet një tregues i rëndësishëm për sektorin e turizmit, i cili ka fituar peshë në ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›