E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rekord regjistrimesh në arsimin profesional, Manjani: 1 400 më shumë se vitin e kaluar

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ – Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, tha sot se këtë vit mësimor është arritur një numër rekord i të nxënësve që kanë zgjedhur të regjistrohen në shkollat profesionale.

Në një intervistë për “Report TV”, Manjani theksoi se numri i nxënësve të regjistruar këtë vit mësimor në shkollat profesionale është 10% më i lartë se vitin e kaluar.

“Për vitin mësimor 2024-2025, pra në vitin aktual, kemi arritur një numër rekord regjistrimesh në klasën e dhjetë. Janë rreth 4 600 nxënës, mbi 1 400 më shumë të regjistruar krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë, pra rreth 10% më shumë se vitin e kaluar mësimor”, tha Manjani.

Zv/ministrja Manjani tha se synohet që brenda vitit 2030, 1/3 e nxënësve të jenë regjistruar në arsimin profesional.

“Është pra një sukses deri në këtë moment. Regjistrimet janë të hapura deri më 30 shtator. Megjithatë, në bashkëpunim me Ministrin e Arsimit dhe Sportit, është rënë dakord që nxënësit që ndjekin arsimin e përgjithshëm dhe anasjelltas mund të kalojnë nga njëri sistem në tjetrin edhe pas përfundimit të klasës së dhjetë, gjatë gjithë vitit”, shtoi ajo.

“Deri në vitin 2030, synojmë që 1/3 e nxënësve të studiojnë në fushën e arsimit profesional, duke marrë parasysh edhe vendet e BE-së, të cilat kanë një mesatare prej 48% të nxënësve që studiojnë në arsimin profesional. Kjo tregon se vendet shumë të zhvilluara si Gjermania, Austria dhe Zvicra kanë krijuar një traditë të shkëlqyer në arsimin profesional, ku 50% e nxënësve atje studiojnë në shkollat e arsimit profesional”, tha Manjani.

Manjani shtoi se arsimi profesional është një rrugë e sigurt drejt punësimit. “Viti 2024 është shpallur si viti i arsimit profesional. Ka rritje në investimet në infrastrukturë dhe laboratorë. Në aktin normativ të buxhetit, të miratuar në muajin gusht, u shtua një fond prej 240 milionë lekësh për t’u investuar në arsimin profesional. 710 mësues të lëndëve profesionale në shkollat profesionale kanë njohur rritje page, me synimin për të tërhequr profesionistët më të mirë në këtë fushë”, tha ajo.

“Kemi 31 shkolla të mesme profesionale, përfshirë 2 shkolla të mesme të bashkuara dhe 10 qendra të formimit profesional, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit. Qendrat ofrojnë kurse afatshkurtra për ata që dëshirojnë të marrin një kurs ose një formim në terma afatshkurtra. Ne kemi 24 profile, dhe kërkesa më e lartë është për sektorët që kanë lidhje me sektorët prioritarë të ekonomisë, si teknologjia e informacionit, hoteleri-turizmi, termohidraulika, ekonomia, biznesi dhe shërbimet e mjeteve të transportit”, tha ajo.

“Janë 3000 biznese partnere, ku zhvillohet praktika profesionale e pjesës më të madhe të nxënësve tanë, pra thuajse të gjithë nxënësit tanë. Nga gjurmimi i fundit, i kryer në maj-qershor 2024 dhe që i referohet të diplomuarve të vitit 2023, 67.7% janë punësuar brenda 6 muajve nga mbarimi i shkollës, ku sektorët si hoteleri-turizmi dhe mjetet e transportit e kalojnë 80%. 60% e tyre janë angazhuar me punë edhe përpara përfundimit të studimeve”, përfundoi Manjani.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›