E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rekrutimi në Forcat e Armatosura – Mbyllet faza e dytë, interes i lartë nga të rinjtë e Gjirokastrës

Në qarkun e Gjitokastrës ka një trend në rritje të interesit nga ana e të rinjve për t’u rekrutuar në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Joan Dhandili, shef i Qendrës së Personel-Rekrutimit në Gjirokastër, shpjegon se djemtë dhe vajzat tani e shohin rekrutimin ushtarak si një mundësi të artë për zhvillimin profesional, duke ofruar mundësi të shumta për rritje karriere dhe stabilitet ekonomik.

“Forcat e Armatosura ofrojnë një sërë mundësish dhe përfitime të jashtëzakonshme për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që zgjedhin të bëhen pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm. Disa nga këto përfitime janë programet e studimit, si teknologjia e informacionit në fushën e mbrojtjes dhe teknologji komunikimi. Gjatë programit të studimit ofrojmë akomodim dhe ushqim me tre vakte për të gjithë fituesit e ciklit,” thotë ai.

Z. Dhandili gjithashtu vë në dukje se kjo tendencë po i jep ushtrisë një imazh të ri dhe po e forcon atë.

“Zakonisht numrat për çdo fazë variojnë nga 20 në 30 aplikantë, ku përfshihen djem dhe vajza. Është vënë re një interes i madh i gjinisë femërore për t’u bërë pjesë e kësaj strukture të rëndësishme,” tregon shefi i Qendrës së Personel-Rekrutimit.

Për këtë vit janë zhvilluar dy faza të rekrutimit, ndërkohë faza e tretë do të mbahet në muajin maj, duke ofruar mundësi të reja për ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›