E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Replikat Grenell-Kurti për marrëdhëniet me SHBA-të

PRISHTINË, 7 shkurt/ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi një ditë më parë ndaj deklaratës së Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Misionet.

Kurti tha se marrëdhëniet me SHBA-të janë më të forta se kurrë.

Kurti i cili po kërkon një mandat të dytë, iu përgjigj për herë të parë kritikave të Richard Grenell i cili së fundmi e cilësoi liderin e Vetëvendosjes si një partner jo të besueshëm për Uashingtonin.

Në një intervistë për mediat në Kosovë, Kurti ka hedhur poshtë komentet e Grenellit, duke thënë se marrëdhënia e Kosovës me SHBA-në aktualisht është në nivelin më të mirë që nga fillimi i saj.

Ai gjithashtu e pozicionoi veten si një aktivist dhe jo si analist, duke sugjeruar se komentet e Grenell ishin interpretime mediatike dhe jo citate të drejtpërdrejta.

Ndërsa pranoi se SHBA-të kanë shprehur shqetësime dhe kritika, Kurti theksoi se reagimet e tilla janë konstruktive dhe e ndihmojnë Kosovën të ecë përpara.

Ai më tej ka pohuar se nën udhëheqjen e tij, lidhjet e Kosovës me SHBA-në janë forcuar jo vetëm diplomatikisht, por edhe në fushën e sigurisë dhe energjisë.

Pas këtij qëndrimi të Kurtit, Grenell reagoi sërish duke theksuar se: “Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE”.

Më 3 shkurt, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve në Kosovë, Richard Grenell kritikoi ashpër Albin Kurtin.

Në një postim në X (dikur Tëitter), Grenell deklaroi se “Qeveria Kurti ishte e pabesueshme gjatë mandatit të parë të Trump, dhe gjithashtu ka qenë jo e besueshme gjatë mandatit të Bidenit”.

Krahas kësaj, Grenell pohoi se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë dhe fajësoi Kurtin për këtë mungesë investimesh. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›