Reporteres Sans... vler
• Dalina BuziU zunë dhe u grinë mediat për një festival shtetëror, mbushën faqet me ankesat sindikaliste të drejtuesve dhe kompozitorëve pjesëmarrës ndaj gjykimeve të jurisë, duke harruar se brenda llojit të tyre, po organizohen konkurse edhe më tragjike, të cilat vlerësojnë e ngrenë në qiell një lloj gazetarie të shpërfytyruar, aspak etike, duke lënë në hije ata që meritojnë vërtetë të jenë protagonistët. Ka disa fundvite që organizata jo-qeveritare apo të përditshme me shitje modeste organizojnë sondazhe, ku vlerësojnë publicistin/gazetarin e vitit. Falë memories sime të dobët (apo thjesht tepër selektive) nuk më kujtohen fituesit e viteve të kaluara, por këtë vit fatmirësisht i kam të qarta emrat dhe punët e atyre që e kanë marrë këtë çmim, apo presin ta marrin kur të mbyllet votimi popullor me sms apo e-maile. Dhe jam shtangur nga klasifikimet e padrejta. Nuk jam kundër organizimit të këtyre sondazheve, fundja çdo OJQ apo media private ka të drejtën e plotë të bëjë gjykime të tilla për sa kohë shfrytëzon fonde private. Por më tmerron fakti që këto lloj sondazhesh janë domethënëse për kolegët e mi dhe publikun dhe të vetmet të cilat ekzistojnë në mungesë të një jurie profesionale, e cila kurrsesi nuk do të gjykonte punën e një gazetari në bazë të herëve që fytyra e tij/e saj është shfaqur në ekranin e televizorit apo në faqe të parë; apo të një mediaje, në bazë të mbulimeve që i ka bërë një aktiviteti në interes të gjykuesve.Gazetarët, ashtu si artistët, kanë nevojë për një stimul në fund të vitit, aq më tepër kur ata janë viktima të një paragjykimi të përgjithshëm popullor, që vjen si pasojë e zhgënjimeve të publikut nga luhatjet e shpeshta politike dhe papërgjeshmërinë e shumë mediave. Atëherë për të zbutur këtë opinion, për të sensibilizuar masën se në këtë mori “gazetarucësh”, siç i quante i madhi Shvarc ka edhe vlera, si edhe për të edukuar publikun mbi ato që duhet të ketë një gazetar i mirëfilltë, lind nevoja për një gjykim profesional, një lloj “Pulitzer”, apo çfarëdolloj çmimi tjetër gazetarie që aplikohet pothuajse në të gjithë vendet e botës. Ky gjykim aktualisht nuk ekziston, dhe në mungesë të saj, vetë mediat po lejojnë të ngrihen apo ri-vlerësohen ata individë, të cilët e kanë lëvizur kursin e politikës dhe etikës më shpesh sesa një kapiten i dehur kursin e anijes së tij me vela. Në renditjet e votimeve, vendet e para janë mbushur me ata që ushqehen nga shkrime “le t’i biem qeverisë gjithsesi/në përgjithësi”, në të cilat padyshim citohen librat më të fundit të blera në tranzitet e Milanos dhe Vjenës, futet sa për “globalizëm” një krahasim me Amerikën dhe mbyllen me thirrje naive-hipiste-alla-Xhon Lenon “O maa, përse nuk ka paqe në botë?”. Me sms apo e-maile votohen ata, të cilët kanë shkruar shumë shkrime, por askush nuk iu mban mend një shkrim të vetëm, (por iu mbajnë mend emrat dhe qëndrimin në karriget e studiove), ata të cilët publikisht janë refuzuar për intervista nga kryetarë të partive opozitare, vetëm sepse janë mbështetës të partisë në pushtet, edhe pse deklarojnë paanshmëri (por iu del shumë shpesh fytyra në televizor) dhe disa të tjerë, të cilët shkruajnë opinione mbi opinione, që lexojnë në internetin e shtëpisë së tyre, diku në shtetin e ndriçuar 24 orë “X”. Akoma më keq: Votohen me çmime Udhëheqjeje njerëz të cilët “aksidentalisht” apo “qëllimisht” (gjithsesi një gafë e rëndë në të dyja format) udhëhoqën botën të mendonte se ne ishim hajdutë xhepash.Në këto lista, fitues nuk sheh kurrë gazetarë të thjeshtë, kronikanët e përditshëm, ata të cilët “hanë” gurë e përplasje dyersh, qoftë për të çuar deri në fund një ide të ardhur nga zyra e ngrohtë e drejtorëve të tyre moshatarë të informacionit. Të thjeshtët kënaqen vetëm nga një sms “Bravo, je i madh!” apo fatmirësisht nga një ftesë në “New Day” të Krastës (të paktën dikush e di se ekzistojnë).Aq të pa-logjikshme janë këto renditje “popullore”, sa për shembull këtë vit, nuk sheh të paktën të jenë aty nga fillimi, emra gazetarësh të njohur që bën dukshëm histori në median shqiptare 2007, qoftë me intervista me figurat më të rëndësishme të botës, qoftë me një udhëtim të guximshëm në zonën e pashkelur më parë nga kamerat shqiptare si Çamëria, apo me një emision të përjavshëm me reportazhe profesionale, që janë shembuj të gatshëm “how to?” për shkollat e gazetarisë sonë. Këta jo se nuk mbahen mend nga njerëzit, përkundrazi, por fatkeqësisht vetë këta gazetarë të njohur dhe të tjerë si këta (të cilët për të mos u zgjatur nuk po i përmend), nuk dinë të shfrytëzojnë siç duhet bankën koehliane të favoreve, nëpërmjet një sms-je të tipit “Gëzuar Festat dhe Votoni për Mua!”. Me sondazhet dhe konkurset e deritanishme të gazetarisë, anashkalohen edhe vlerësimet më specifike, si p.sh. “Reportazhi më i mirë”, “Kritika më e mirë”, “Investigimi më i mirë” etj. Madje, këtu shpërfillen ata gazetarë që mbulojnë tema të tjera përveç politikës, si sociale, kronikë e zezë apo kulturore, duke e lënë “de facto” atë të cilën mediat vetë po mundohen ta luftojnë si koncept, se kush mbulon politikën është edhe më i vlerësuari.Po përse duhet të mungojnë ende vlerësime të tilla profesionale në Shqipëri? Pikë së pari gjykuesit duhet të jenë nga bota e medias, qoftë gazetarë aktivë apo specialistë/pedagogë në Fakultetin e Gazetarisë. Por me një hamendësim gati të sigurt do të konkludoja se media gjykuese dhe e ashpër ndaj padrejtësive në juritë e evenimenteve artistike, është po aq e ndjeshme ndaj gjykimeve që mund t’i bëhen vetë asaj. Që do të thotë, se në atë juri profesionistësh, të paktën njëri nuk do të donte të prishte qejfet me miqtë e tij të shkollës apo shoqëruesit e kafeve të mëngjesit, tjetrit do t’i duhej ta mbante mirë me një drejtues emisioni apo gazete në të cilat kuron vazhdimisht imazhin e tij, një pedagog padyshim do të kishte koleg një gazetar-pedagog, miqtë e jurisë në përgjithësi do të ishin ata të njohurit, që zakonisht janë drejtorët e të panjohurve të talentuar (por që këta të fundit nuk kanë zë të kërkojnë vlerësime) dhe të tjerë do të tërhiqeshin nga kandidaturat me arsyen tradicionale “çmimi është ndarë paraprakisht”. Nëpër mjegull mbaj mend që herë pas here ndaheshin disa çmime gazetarie nga një grupim gazetarësh a specialistësh mediash, por asnjëherë nuk është konsoliduar si proces - përderisa gazetarët fitues nuk mbahen mend apo nuk përmenden për çmime të tilla - madje nuk janë bërë kurrë transparente mënyrat e vlerësimit. (Më kujtohet që dikur, dikush në këto juri, kishte ngatërruar përkufizimin e një reportazhi investigues, duke vlerësuar si të tillë një intervistë jo shumë domethënëse me kamera të fshehur nën xhaketë). E nëse e gjithë kjo që sapo thashë është një pjellë e fantazisë sime, atëherë do të isha shumë e lumtur, e mezi ç’do prisja të ngrihej një juri, por mungesa e një konkursi profesional të qëndrueshëm, gjatë gjithë këtyre viteve, më shtyn të mendoj se kam të drejtë.Duke parë këtë situatë, mesa duket, në mungesë të vlerësimeve të mirëfillta, gazetarëve jo-fitues-referendumesh, iu mbetet vetëm të tundin kokën, duke e shoqëruar me një “tcuk tcuk” të stërzgjatur, sa herë në ekran apo në faqe gazetash të lexojnë për fitues të pamerituar çmimesh gazetareske, të vlerësuar nga njerëz të cilët nuk mundin kurrsesi të japin një gjykim profesional, apo më keq, nga votat me sms-të e fisit, lagjes e madje edhe të ftuarve në dasmën e tyre. Fituesit e vërtetë, në këtë rast (edhe pse vështirë) nuk duhet të dekurajohen e të heqin dorë nga lufta e tyre për një media të paanshme e profesionale. Sepse më keq se të shohësh se si të tjerët ngrenë kupat e lavdisë së rreme, është të bëhesh si ata, duke lënë prapa një gazetari pa shembuj të mirë, por vetëm me namin e keq të damkosur në mendjet e njerëzve, falë shembujve që (media) ka krijuar me duart e saj.