Reporterët pa Kufij: Përkeqësim i lirisë së medias në Kosovë

Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të, shkruan Evropa e Lirë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se është i “alarmuar me rënien e re, drastike” të Kosovës në renditjen e indeksit vjetor për lirinë e shtypit.
“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK ka bërë thirrje për punë të përbashkët të akterëve institucionalë me shoqërinë civile, përfshirë për hartimin e një ligji të ri të KPM-së.
Ligji për KPM-në i miratuar vitin e kaluar parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro. Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi ligjin pasi gjeti se disa nene nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.