Reshat Arbana feston 84-vjetorin: Një ikonë e kinematografisë shqiptare

TIRANË, 15 shtator /ATSH/-Reshat Arbana, një nga figurat më të shquara të skenës dhe kinematografisë shqiptare, feston sot 84-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, aktori i madh është përshëndetur dhe vlerësuar nga shumë personalitete të artit dhe jetës publike në Shqipëri.
Një nga urimet e veçanta erdhi nga konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari, i cili e përshkroi Arbanën si një ikonë të vërtetë të kombit shqiptar. “Artist i Popullit dhe Nderi i Kombit, askush më shumë se ti nuk i meriton këto tituj. Ti ke qenë gjithmonë përfaqësues i denjë i popullit dhe kombit shqiptar,” shkroi Hajdari.
Reshat Arbana, i lindur më 15 shtator 1940 në Tiranë, është i njohur për mjeshtërinë e tij në interpretim dhe integritetin e lartë intelektual, duke sjellë në ekran dhe skenë dhjetëra role që kanë lënë gjurmë. Karriera e tij nisi në vitin 1963 dhe vazhdoi me suksese të njëpasnjëshme në film dhe teatër. Roli i tij i parë në film ishte në “Fije që priten” (1976), ndërsa disa nga rolet më të njohura përfshijnë Samiun tek “Fije që priten,” Prefektin në “Gjeneral gramafoni,” Isa Boletinin në “Nëntori i dytë,” dhe Kuke Meminin tek “Balada e Kurbinit.”
Për kontributin e tij në artin shqiptar, Arbana ka marrë disa nga nderimet më të larta, përfshirë çmimin “Artist i Popullit” dhe titullin “Nderi i Kombit,” i cili iu akordua nga Presidenti Bamir Topi më 2011 për rolet që kanë pasuruar kulturën kombëtare.
Reshat Arbana është dalluar edhe për qëndrimet e tij, duke mbetur gjithmonë një zë autentik i kulturës dhe kombit shqiptar. Përveç rolit të tij si aktor, zëri i tij është njohur dhe vlerësuar për recitimin e dhjetëra poezive dhe prozave të mëdha të letërsisë shqiptare dhe botërore.
Në 84-vjetorin e tij, Reshat Arbana vazhdon të jetë një figurë frymëzuese për brezat e rinj të artistëve, duke sjellë një model të jashtëzakonshëm të përkushtimit dhe dashurisë për artin./a.f/