Reshje me intensitet të lartë – Inerte në segmentin Kardhiq–Delvinë, situata nën kontroll

Reshjet me intensitet të lartë gjatë 24 orëve të fundit, që kanë përfshirë qarkun e Gjirokastrës, kanë shkaktuar disa problematika në akset rrugore, por situata paraqitet nën kontroll.
Sipas inxhinierit të ARRSH-së për rajonin jugor, Aristotel Noni, në rrugët nacionale nuk janë shënuar problematika madhore, përveç rrjedhjeve ujore dhe materialeve inerte të sjella nga reshjet në segmentin Kardhiq–Delvinë.
Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.
“Nuk ka pasur bllokime rrugësh, nuk ka pasur probleme apo vështirësi në qarkullim. Ka pasur vetëm rrjedhje ujore, sidomos në aksin Këlcyrë–Përmet, si dhe materiale inerte në sasi të vogla në aksin Kardhiq–Delvinë”, tha Noni.
Noni u bëri apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në rrugë.
“Bëjmë një apel për të gjithë përdoruesit e mjeteve që, në këtë situatë të vështirë të kushteve të motit, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë kufizimet e shpejtësisë në akset rrugore”, apelon ai.
RTSH