Reshjet/ Dëmtohen akset rrugore në Gramsh

Reshjet e këtyre ditëve të fundit po sjellin dëmtime të infrastrukturës rrugore rurale në rrethin e Gramshit. Akset rrugore të 4 njësive administrative e fshatrave të tyre që i lidhin me qytetin e Gramshit kanë patur rrëshqitje të dherave, bllokim të tyre për 2 deri në 3 ditë dhe kalimi i automjeteve është bërë tepër i vështirë.
Pak ditë më parë 50 vizitorë nga Tirana që donin të shkonin në ujvarën e Sotirës që është një nga 18 pikat turistike në Gramsh nuk kanë mundur të mbërrijnë në destinacion për shkak të daljes së përroit nga shtrati. Banorët dhe shoferët e autobuzëve thonë se kalimi është tepër i vështirë.
Punonjësit e bashkisë kanë zbritur në terren dhe kanë nisur punën për hapjen e atyre segmenteve rrugore që janë më problematike, me qëllim normalizimin e situatës për kalimin e automjeteve.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh/