Restaurimi i sarajeve të Myfit Bej Libohovës – Pasuri kulturore që do të kthehet në atraksion turistik

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sjell në vëmendje Sarajet e Myfit Beut në Libohovë, ku nëpërmjet një projekti po ndërhyhet në çatinë e objektit , me qëllim mbrojtjen dhe parandalimin e degradimit në këtë pasuri kulturore. Në sajë të këtyre ndërhyrjeve, duket se kjo ndërtesë i kthehet qytetit si një atraksion i shtuar turistik.
“Është restauruar çatia dhe po presim të restaurohen edhe ambientet e brendshme dhe shpresojmë që këto saraje ti kthejmë në një muze të vizitueshëm për vizitorët vendas dhe të huaj. Është një risi për Libohovën”, u shpreh Arjan Çano, Specialist i kulturës në bashkinë Libohovë.
Sarajet e Myfit Bej Libohovës të cilat ndodhen në qendër te qytetit dhe janë shpallur monument kulture, kategoria II janë ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të kaluar dhe kanë vlera të çmuara jo vetëm për Libohovën dhe Libohovitët por për gjithë vendin tonë si një vlerë kombëtare.
“Në këto saraje ka jetuar një familje pinjollë që i kanë dhënë kontributin e tyre në të gjithë Shqipërinë”, tha historiani Besnik Ismailati.
Myfit Bej Libohova, diplomati i njohur i Perandorisë Osmane dhe krijuesi i diplomacisë shqiptare, ishte teknicieni që kontribuoi në ngritjen e Bankës dhe monedhës kombëtare. Me emrin e tij janë të lidhura shumë aktivitete politike të para Luftës së Dytë Botërore.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/