E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolta studentore, Berisha: Edi Rama për të shpëtuar lëkurën e tij solli mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro

Sali Berisha u bën thirrje qytetarëve të bashkohen me studentët në ditën e tetë të protestave në Tiranë.

sali berisha

Kreu i Partisë Demokratike u bën thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj protestave dhe të mbështesin të rinjtë, të cilët po kërkojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe për vendin. Ai thekson se shqiptarët që kanë mbështetur studentët gjatë javës së protestave duhet të kapërcejnë frikën dhe t’i përgjigjen thirrjes së të rinjve.

“Edi Rama, për të shpëtuar lëkurën e tij, shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Bazuar në mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro, bazuar në mercenarë dhe vrasës serialë të importuar nga jashtë dhe në mjete të teknologjisë së terrorit. Por, protesta e sotme e mijëra e mijëra asistentëve, pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve në mbështetje të studentëve të tyre, përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës. Kjo që po shohim është fundi i merituar i Edvin Kristaq Xhelatit”, thekson Berisha.

“Ftoj çdo qytetar të dëgjojë thellë në ndërgjegjen e tij thirrjen më sublime që një qenie njerëzore mund të ndiejë: thirrjen e të rinjve, thirrjen e kombit”, deklaron Berisha.

“Dil sot në mbështetje të atyre të rinjve, të cilëve Edi Rama u ka vjedhur gjithçka, por që ende nuk janë mposhtur dhe duan ta bëjnë Shqipërinë sipas ëndrrave të tyre rinore. Ende kanë shpresë. Ata po luftojnë për të ardhmen rinore, ata po luftojnë për veten, ata po luftojnë për ty”,- shton ai.

Berisha përmend përdorimin e shkopinjve të gomës, gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës, duke pretenduar se këto mjete kanë prekur jo vetëm studentët e gjimnazistët, por edhe banorët.

“Kemi parë disproporcion të madh ndaj reagimeve në vetëmbrojtje të studentëve me shkopinjtë e gomës që thyejnë kockat e tyre të njoma, gazit helmues që është ngritur si re e zezë mbi qiellin e Tiranës dhe që godet përditë, jo vetëm studentët dhe gjimnazistët, por edhe shtëpitë. Plumbat e gomës që lëshohen në mënyrë të pamëshirshme dhe në shkelje të ligjit ndaj studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve”,- thotë Berisha.

Berisha e lidh situatën e krijuar me atë që e cilëson si keqmenaxhim të vendit dhe vjedhje të fondeve dhe pasurive publike gjatë 13 viteve të qeverisjes. Ai akuzon kryeministrin Rama se kërkon të mbrojë interesat e tij politike dhe financiare, ndërsa studentët dhe pedagogët vijojnë të protestojnë në shesh.

“Kjo që po shohim është fundi i merituar i Edvin Kristaq Xhelatit. Edi Rama, pasi i nxiu jetën për 13 vite Shqipërisë me vjedhjen skandaloze të fondeve dhe pasurive publike, vendosi që deri në fund të tij t’i krijojë kosto të rënda Shqipërisë. Ai kërkon të mbrojë me çdo çmim lëkurën, krimin dhe paratë e tij, por studentët nuk bëjnë pas. Ata, së bashku me pedagogët e tyre, dolën në shesh. Nuk duhet të harrojmë se prej 13 vitesh kemi ngritur zërin, kemi kërkuar që të rinjtë të ngrihen kundër të keqes që ka kapluar vendin. Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri. Ata po bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj”,- thotë Berisha.

Në përfundim të mesazhit të tij, Berisha fton qytetarët të marrin pjesë në tubim në mbështetje të studentëve, duke njoftuar orën 10:00, përpara universitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›