Revolta studentore, Policia përsërit apelin për distancim nga dhuna: 35 persona të shoqëruar, 14 efektivë janë lënduar
Policia e Shtetit ka përsëritur sërish apelin ndaj protestuesve për t’u distancuar nga dhuna. Policia bën me dije se të paktën 14 efektivë kanë mbetur të lënduar, ndërsa deri më tani janë shoqëruar 35 persona.

Policia thotë se e drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por dhuna, sulmet ndaj efektivëve të Policisë apo shkatërrimi i pronës private dhe publike nuk i shërben askujt.
Sipas uniformave blu, përgjegjësit për aktet e dhunës do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
“Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre. Mos lejoni që tubimi të përdoret për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë dhe për të shkatërruar pronën publike e private. Rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.”, thekson Policia.
REAGIMI I POLICISË SË SHTETIT
Policia e Shtetit përsërit thirrjet e bëra përgjatë gjithë ditës së sotme për pjesëmarrësit në tubim: Distancohuni menjëherë nga dhuna!
Ndaloni sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike e private.
Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit.
Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre. Mos lejoni që tubimi të përdoret për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë dhe për të shkatërruar pronën publike e private. Rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.
E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e Policisë apo të shkatërrojë pronën publike e private. Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit. Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas.