E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rezultatet në detyrë, qeveria shpërblen punonjësit e Gardës me 3 paga mujore neto në vit

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që përcakton procedurat e trajtimit financiar për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë në rastet e fatkeqësive në familje, shpërblimin për rezultatet e arritura dhe dëmtimin e rëndë të pronës private për shkak të detyrës.

Sipas këtij vendimi, fatkeqësi në familje konsiderohet vdekja e prindit në ngarkim, e bashkëshortit/bashkëshortes apo e fëmijës dhe ndihma financiare për fatkeqësitë në familje jepet në masën e 2 pagave mujore neto të muajit të fundit.

Ndërkohë lidhur me shpërblimet, punonjësi i Gardës së Republikës përfiton në vit një shpërblim deri në masën e 3 pagave mujore neto për rezultate të larta të arritura gjatë kryerjes së detyrës.

Shpërblimi jepet nëse punonjësi pëson dëmtime shëndetësore gjatë shërbimit për sigurimin e personaliteteve apo të objekteve në ruajtje, duke përfshirë raste, si: sulme të dhunshme, aksidente gjatë detyrës ose situata emergjente, që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 14 ditë kalendarike.

Po ashtu kur parandalohet një incident i rëndë apo përpjekje për dëmtim fizik të personaliteteve me masa konkrete dhe ndërhyrje të menjëhershme të punonjësit të Gardës.

“Shpërblimi jepet kur kryhen shërbime për sigurinë e personaliteteve dhe të objekteve në kushte të rrezikshme, si: gjatë protestave masive, kërcënimeve terroriste të konfirmuara, situatave të tensionuara me rrezik ose detyra të përshkallëzuara papritur, që kërkojnë vigjilencë të lartë dhe aftësi të shpejta reagimi; Punonjësi kryen detyra sigurie në aktivitete madhore, ku marrin pjesë më shumë se 10 personalitete të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare, si: samite të nivelit të lartë, takime ndërkombëtare ose ceremoni shtetërore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare”, përcakton vendimi.

Vendimi parashikon po ashtu se punonjësi i Gardës së Republikës, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës private për shkak të detyrës, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare, sipas akteve të vlerësimit të dëmit, por jo më shumë se 1 000 000 lekë.

Punonjësi e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare kur prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit për shkak të detyrës, si dhe rasti është paraqitur pranë organeve ligjzbatuese.

Pagesa për shpërblimin e punonjësit, në këtë rast bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, sipas vendimit të komisionit të posaçëm.

Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi, që ka përfituar ndihmë të menjëhershme financiare, është i detyruar të kthejë në masën 100% shumën e përfituar.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme në programin buxhetor “Garda e Republikës”.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›