Rifillojnë bisedimet për armëpushimin në Gaza, disa orë pasi Izraeli nisi ofensivën e madhe

Izraeli dhe Hamasi kanë rifilluar bisedimet për armëpushim këtë të shtunë (17 maj) në Katar. Lajmin e kanë bërë të ditur të dyja palët, edhe pse vetëm në 72 orët e fundit, Izraeli ka nisur një ofensivë të madhe bombardimesh mbi Gazën duke vrarë me qindra persona.
Autoritetet shëndetësore palestineze thanë se të paktën 146 persona kanë humbur jetën nga sulmet, ndërsa me qindra të plagosur të tjerë po trajtoheshin në spital.
Taher Al-Nono, këshilltari për median i Hamasit, tha për Reuters se një raund i ri bisedimesh indirekte dhe pa parakushte rifilloi me delegacionin izraelit në Doha.
“Delegacioni i Hamasit përshkroi pozicionin e grupit dhe domosdoshmërinë për t’i dhënë fund luftës, shkëmbimin e të burgosurve, tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe lejimin e ndihmës humanitare dhe të gjitha nevojave të popullit të Gazës përsëri në Rrip”, tha Al-Nono.
Edhe ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se negociatat për një marrëveshje për lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi kishin rinisur në Doha.
Megjithatë vetë Izraeli tha se po mobilizohet për të pushtuar më shumë territor në Gaza në një fushatë të re të quajtur “Operacioni Karrocat e Gideonit”, sulmet më të përgjakshme që nga bisedimet për armëpushim në muajin mars. Izraeli ka ndaluar të gjitha furnizimet që hyjnë në Gaza që nga fillimi i marsit, duke shkaktuar një krizë humanitare për mbi 2.3 milionë banorë në Gaza.
/rtsh.al/