Riformatimi i KQZ, PD, PS dhe LSI propozojnë emrat e tyre
Dy partitë e mëdha, PD dhe PS kanë bërë publike propozimet e tyre për anëtarë të KQZ. Kështu, Partia Socialiste ka propozuar Denar Biba dhe Albana Shtylla për në anëtarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, emra që kanë dalë në skenë në mbledhjen e sotme të grupit kuvendor të PS-së, e cila u mbajt me dyer të mbyllura.
Ndërkohë, edhe Partia Demokratike ka dhënë 2 emrat e vet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ata janë Vera Shtejfnin e Hysen Osmanaj, të cilët kanë qenë edhe më parë anëtarë të këtij komisioni.
Dy anëtarë të KQZ do të propozohen nga PBDNJ, si forca e dytë e koalicionit opozitar dhe LSI-ja, si forca e dytë e koalicionit qeverisës. Kështu, LSI ka vendosur të ketë dy propozime, edhe pse ka të drejtën e një anëtari të vetëm në KQZ, Flutura Kona, ish-Avokate e Shtetit në vitin 2000 dhe Arben Shkëmbi, komisioner tek Avokati i Popullit. Tashmë pritet të zbardhet edhe kandidati i propozuar nga ana e PBDNJ për këtë post.
Sipas Kodi i ri Zgjedhor parashikohej zgjedhja e anëtarëve të rinj të KQZ brenda 15 shtatorit, por afati u shkel nga të dyja partitë e mëdha, si nga PD dhe nga PS. Pas formatimit të KQZ pritet zgjedhja e kryetarit të ri që do të zëvendësojë në këtë post kreun aktual, Arben Ristani.
25 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Riformatimi i KQZ, PD, PS dhe LSI propozojnë emrat e tyre burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip