Rihapet Teatri i Kukullave, godina iu nënshtrua restaurimit pas dëmeve nga tërmeti

Pas tre vitesh që iu nënshtrua procesit të restaurimit, për shkak të dëmtimeve të marra gjatë tërmetit të nëntorit 2019, ka hapur dyert sot teatri i kukullave.
Godina e shpallur monument kulture e kategorisë së parë, ka ruajtur strukturën e saj, në përputhje me standardet bashkëkohore të shfaqjeve audio-vizuale, me një skenë dhe auditor multifunksional.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo ndërtesë do të jetë e para që i hap rrugën një tjetër teatri të madh për fëmijë i cili do të ndërtohet në hyrje të liqenit të Tiranës, pranë gardës së republikës.
“Kjo godinë ka një histori, ka një arsye të rëndësishme për tu mbajtur dhe për gjithë këtë investim që u bë. Për këtë arsye është gjithmonë më shumë se sa një godinë, më shumë se sa një vepër kur diçka më shumë shtohet në funksion të fëmijëve. Më vjen shumë mirë që kjo derë u hap. Po punojmë çdo ditë që së shpejti të hapim edhe derën tjetër, të teatrit të madh të fëmijëve. Do të vijojmë përpjekjet që të krijojmë sa më shumë hapësira dhe të hapim sa më shumë dyer për fëmijët e kryeqytetit dhe fëmijët në gjithë Shqipërinë”, tha Rama.
Teatri i rikonstruktuar vjen si rikthim i identitetit kulturor sipas ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Blendi Gonxhe, i cili theksoi se një sërë polesh të rëndësishme kulturore të kryeqytetit do të transformohen.
“Ajo që më gëzon më shumë është fakti se ky Teatër bëhet pjesë e një rrezeje iluminuese, ku kemi rijetëzuar, rindërtuar ose po ndërtojmë disa pole të rëndësishme kulturore, mes të cilave mund të përmend: Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, Teatri Kombëtar që po ndërtohet nga themelet, Muzeu “Besa” në ish banesën e Toptanasve, Qendra e re Kombëtare Kulturore e Fëmijëve që do të inaugurohet së shpejti”, tha ministri.
Në Teatrin e Kukulla u krye një ndërhyrje e plotë që te përforcimi i strukturave të saj me një buxhet prej 2.4 milionë euro. Teatri i kukullave do t’i rikthehet aktivitetit me një sërë shfaqjesh dhe produksionesh të larmishme për të gjithë vogëlushët./vizionplus.tv