“Rikard, përcjellja e fundit”, premiera e filmit të Mevlan Shanajt kushtuar Rikard Ljarjes

Kinemaja shqiptare vështirë se ka pasur një ikonë kaq të shumanshme si Rikard Ljarja.
Tre vite pas ndarjes nga jeta, njëri prej miqve, regjisori Mevlan Shanaj dhe bashkëshortja e tij, skenaristja Natasha Lako, producenti Tan Kazazi, kompozitori Gent Rushi etj, të mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, por dhe të gjithë kineastët bashkë teksa kujtojnë bashkëpunimin e miqësinë me të, i bënë gati filmin e jetës, “Rikard, përcjellja e fundit”, që u shfaq si premierë në Kinema Millenium.
Ai nuk ndihej si ikonë, aq me shpirt të madh ishte, saqë të qenit ikonë ndoshta i dukej fyerje për të tjerët.
Edhe në familjen e tij të kulturuar shkodrane, ku çdo profesion kishte vlerën e tij e artistët e kinemasë nuk shiheshin si të përveçëm ai ishte një si shumë të tjerë.
Por të tjerët, sidomos gratë, donte apo nuk donte Rikardi si ikonë e panë, si figurën e pastër engjëllore që kombinuar me bukurinë dhe talentin krijoi një ndër portretet më të mëdha të kinemasë.
Aq i adhuruar ishte portreti i tij në 22 filmat e Kinostudios Shqipëria e Re si aktor protagonist, ku spikat roli i Dedës te “Rrugë të bardha”, të cilin Mevlan Shanaj do ta quante filmin më të arrirë shqiptar, sepse dha shembullin e njeriut që flijohet për komunikimin mes njerëzve, flijohet për jetën e njerëzve të zakonshëm.
Ai ishte edhe regjisor i 9 filmave dhe skenarist i dy filmave. I binte fizarmonikës dhe pianos, edhe këndonte, edhe pikturonte, edhe shkruante libra.
Por filmi e vuri Rikardin në podin e nderit si aktor, si regjisor e sidomos si njeri, siç do të shprehej aktori Birçe Hasko.
Filmi “Rikard, Përcjellja e fundit” shpërfaqi Shkodrën e viteve ‘50, ku gjendej edhe Rikardi i vogël, që adhuronte librat e dallonte në mësime.
Nga interpretimi në orkestrën simfonike të Shkodrës ne moshën 17-vjeçare, te pasioni për aktrimin.
Personazhet e filmave kujtojnë kur realizuan së bashku rolet në filmat “Komisari i Dritës”, “Në fillim të verës”, “Në pyjet me borë ka jetë”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Ilegalët”, “Duel i heshtur” etj.
Roza Anagnosti tregon natyrshmërinë e interpretimit të tij dhe se si bashkë kishin një kimi artistike.
Bujar Kapexhiu tregon se si Rikardi në kinema solli qytetarin. Dhimitër Anagnosti e quan europian që i dha frymë të re interpretimit, paçka se Rikardi vetë rrëfen se çdo gjë kalonte në filtrin e ideologjisë së kohës.
Ndërsa për bijtë e tij, ai qe busulla, këshilluesi gjithë durim, që tashmë mungon. E sa për bashkëshorten, aktoren Marjeta Ljarja, ajo ndihet e mbështjellë ende nga kujtimet dhe emocionet e një jete të mahnitshme së bashku.
/rtsh.al/