E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikthehet “Dasma e Zhejës” në Kurbin, banorët ringjallin zakonet e dikurshme tradicionale

Një atmosferë festive dhe autentike ka përfshirë fshatin Zhejë të Kurbinit, ku u organizua një dasmë tradicionale sipas zakoneve të para më shumë se një shekulli.

Të rinj dhe të moshuar, të veshur me kostume popullore, sollën në jetë çdo detaj të një dasme tradicionale, nga pajat e nuses, tek vallet e burrave dhe këngët epike të çiftelisë.

“Dasma e Zhejës”, siç u quajt simbolikisht aktiviteti, u kthye në një udhëtim emocional në kohë, duke pasqyruar qartë si festohej dikur në këtë krahinë.

“Ruani traditën dhe në odat tuaj mirëprisni njerëz dhe miq të mirë. T’i sajdisni sipas traditës, sipas shqiptarit që e ka pasur gjithmonë vlerë të tij, ‘me bukë e kripë e zemër’. Ky aktivitet i pati të gjitha. Dua të uroj që çifti të trashëgohet dhe e pasurofshin odën e re të traditës me sa më shumë kalamaj”, u shpreh Shasan Muça, Drejtor i DRAP Lezhë.

Ky organizim tërhoqi jo vetëm vëmendjen e banorëve të Zhejës, por edhe të shumë vizitorëve nga zona të tjera të Kurbinit, të cilët shprehën admirim për përkushtimin dhe origjinalitetin e aktivitetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›